TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pjesë e të arrestuarve të operacionit “Abuzuesit”, rezulton se është edhe specialisti i Krimeve, nën/komisar, Ermand Petova, i cili përveçse akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtime pa leje, nuk ka kryer veprimet ligjore për arrestimin e një shtetasi që kërkohet për përdhunim.
Më 9 nëntor 2019, Petova, ka referuar materialet hetimore në ngarkim të Sami Hoxhës, një shtetas i akuzuar nga gruaja V.J., se kishte kryer marrëdhënie seksuale me forcë në makinën e tij. Prokuroria ka nisur hetimet, duke ngarkuar specialistin të ndjekë rastin, për të bërë arrestimin e personit të akuzuar për këtë ngjarje. Sami Hoxha është shpallur më 5 nëntor 2019 në kërkim, me kartelën ngjyrë “rozë”. Për të bërë kapjen e tij, Petova ka raportuar se ka shkuar për kontroll në banesën e të akuzuarit, por nuk e ka gjetur atje. Ndërsa sipas verifikimeve, nga data 6 deri më 8 nëntor, Sami Hoxha dhe Ermand Petova, kanë biseduar me njëri-tjetrin në telefon, për shkak të njohjes mes tyre.
Sipas verifikimeve, në këto data shihet se polici ka informacion se Sami Hoxha, në fakt është në shtëpinë e tij, por nuk kryen arrestimin e tij. Prokurori i çështjes, ka kërkuar të provohet fakti i përdhunimit, por njohja e policit me Hoxhën, nuk ka dhënë efekt për gruan që denoncoi se ishte përdhunuar.
Për këtë ngjarje, rezulton se ka qenë i përfshirë dhe në dijeni edhe polici SPZ në Manëz, Petrit Neziri.
Por Petova duket se nuk e ka patur fort për zemër ndjekjen e çdo denoncimi që i ngarkohej për të ndjekur. Më 10 nëntor 2019, ky specialist ka marrë në dorëzim një denoncim për vjedhjen e një dyqani në fshatin Rrotull. Megjithëse për këtë ngjarje, ka patur dijeni Shefi i Stacionit, Sami Xhafaj, SPZ, Petrit Neziri, oficeri nuk ka referuar asnjë person në prokurori. Ndërkohë që një tjetër ngjarje që rëndon mbi policët e arrestuar është edhe fakti se më 9 nëntor, përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, është denoncuar ndërtimi i një godine në fshatin Shetaj dhe pasi kanë marrë denoncimin, nga operatorët, specialistët e krimeve nuk kanë kryer detyrën, por kanë marrë kamerat e sigurisë për të gjetur, kush ishte spiuni në fshatin Shetaj.
Operacioni i koduar “Abuzuesit” u finalizua mbrëmë në Durrës, pas hetimit tri mujor nga ana e SHCBA dhe Prokurorisë së Durrësit. 10 policë të prangosur, 2 inspektorë të IMT-së, dhe 5 biznesmenë janë arrestuar, ndërsa 1 person është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër është pezulluar nga detyra. Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj, duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.