BALLKAN, 27 Tetor 2020, 22:22

Abazoviç refuzon postet e ofruara nga qeveria e re në Mal të Zi

Abazoviç refuzon postet e ofruara nga qeveria e re në Mal të Zi


I mandatuari për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Zdravko Krivokapiç, raportohet se i ka ofruar nëntë ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit, Frontit Demokratik.

Ndërkohë mediat e huaja, bëjnë me dije se tre ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit i është ofruar koalicionit, “Bardh e Zi”, ku në krye të kësaj partie është politikani shqiptar, Dritan Abazoviç.

Platformës “Bardh e Zi” i është ofruar pozicioni i zëvendëskryeministrit për sektorin e sigurisë si dhe Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Bujqësinë dhe Mbrojtjen.

Por, URA, e cila është pjesë e koalicionit, “Bardh e Zi”, iu përgjigj negativisht kësaj oferte, duke kërkuar më shumë poste ministrore.

Ndërsa mësohet se koalicionit “Paqja është kombi ynë” iu ofrua Ministria e Drejtësisë, Kulturës, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe departamentet e mbetura.