AKTUALITET, 30 Mars 2021, 10:31

Abazoviç i përgjigjet ashpër deklaratës së ministrit të Drejtësisë: Në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid

Abazoviç i përgjigjet ashpër deklaratës së ministrit

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka reaguar ashpër deklaratës së ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në këtë shtet, Vladimir Leposavic, i cili pyetjes nëse ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, iu përgjigj duke thënë se nuk mund të njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri”.

Leposavic u shpreh se do të pranonte krimet në Srebrenicë “kur kjo të vërtetohet përtej çdo dyshimi”.

Pas reagimit të Bashkimit Evropian, ka reaguar edhe Abazoviç përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid, e se Qeveria e Malit të Zi i respekton të gjitha gjyqet ndërkombëtare.

“Në Srebrenicë ka pasur gjenocid. Qeveria e Malit të Zi respekton të gjitha gjykimet ndërkombëtare.

Në këtë pikë nuk ka çfarë diskutohet. Kush nuk e kupton këtë gjë, nuk ka vend në institucione e në funksione shtetërore. Le të shohim nga e ardhmja, kemi shumë punë për të bërë”, ka shkruar Abazoviç.