AKTUALITET, 27 Maj 2019, 18:19

613 kg kokainë, Krimet e Rënda çojnë për gjykim Arbër Çekajn

613 kg kokainë, Krimet e Rënda çojnë për gjykim


I dyshuar se porositi ngarkesën me 613 kg kokainë nga Amerika Latine në Portin e Durrësit, shkon për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dosja për Arbër Çekajn. Prokuroria e Krimeve të Rënda në përfundim të hetimeve paraprake, ka dërguar për gjykim pronarin e “Arbri Garden”, Arber Çekaj (Kuliçaj), Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku, me mase sigurimi personal në burg në Shqipëri dhe Gjermani, per veprat penale “Trafikim te narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ata do të gjykohen për trafikun e 613 kg kokaine të sekuestruar 27 shkurt të vitit të kaluar në një kontenier me banane që vinte nga Kolumbia. Arbër Çekaj është pronarit i firmës “Arbri Garden”, që kishte porositur ngarkesën.

Pas gjetjes së 613 kilogramëve kokainë në kontenierin me banane, Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi shoferin e kamionit si dhe menaxherin e firmës “Arbri Garden”, të cilët janë shprehur se nuk kishin dijeni mbi drogën e fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit. Ndërkohë që Çekaj u arrestuar në Gjermani për trafikun e lëndëve narkotike.