AKTUALITET, 6 October 2026, 20:44

300 mijë euro dhe një plumb te dera/ Si i vuri gjobë kushëririt të tij Ardian Muka

300 mijë euro dhe një plumb te dera/ Si i vuri gjobë

Ardian Muka, banor i fshatit Gërdec në Vorë, është arrestuar nga policia dhe më pas është lënë në masën e “arrestit në burg” nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet se i ka vendosur një gjobë financiare prej 300 mijë eurosh kushëririt të tij.

Rasti është zbuluar në shtator të vitit 2026, kur Erion Muka, më 12 shtator, ka konstatuar në pjesën e brendshme të derës hyrëse të oborrit të banesës së tij një kuti syzesh, brenda së cilës ndodheshin një fishek automatiku dhe një letër me shkrime kërcënuese, që niste me fjalën “...Përshëndetje...”.

Në letër kishte mesazhe kërcënuese dhe kërkesë për pagesën e një shume prej 300 mijë eurosh, në adresë të tij dhe familjarëve.

Letra dhe fisheku i paplasur iu dorëzuan më pas oficerëve të Komisariatit Nr. 7 në Vorë nga Erion Muka, i cili në atë moment nuk e dinte se pas gjobëvënies qëndronte pikërisht kushëriri i tij, Ardian Muka.

Policia nisi hetimet në bashkëpunim me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj. Fillimisht, dyshimet u përqendruan te një ngjarje që mund të kishte në prapavijë një histori sentimentale me një vajzë në Gërdec.

Babai i vajzës u shoqërua në komisariat për të dhënë shpjegime, por gjatë marrjes në pyetje ai nuk pranoi se kishte lidhje me ngjarjen e gjobëvënies.

Pas disa veprimeve hetimore dhe këqyrjes së pamjeve filmike, rezultoi se ngjarja lidhej me një person tjetër, pikërisht me kushëririn e Erion Mukës, Ardian Muka.

Ky i fundit u shoqërua në ambientet e policisë dhe gjatë marrjes në pyetje pranoi se ishte ai që kishte vendosur letrën gjobëvënëse dhe fishekun e paplasur në derën e kushëririt të tij.

Në lidhje me ngjarjen, ai deklaroi se këtë veprim e kishte kryer pasi kishte shkruar letrën dhe kishte gjetur një fishek luftarak, të cilin e kishte mbështjellë.

“...dhe në datën 11 shtator 2026, ka dalë nga banesa e tij rreth orës 22:45, pasi ka qenë i veshur me një palë kominoshe pune, për të mos u identifikuar, këtë letër dhe plumbin ai e ka futur në një kuti syzesh që ndodheshin në shtëpinë e tij dhe ia ka lënë tek porta e jashtme.

Më pas është larguar me vrap dhe ka shkuar në banesën e tij. Ai thekson se ndihet i penduar për këtë fakt dhe nuk e përsërit më...”, thuhet në dosjen e policisë.

Ndërkohë, uniformat blu kanë shkuar në banesën e Ardian Mukës për të ushtruar kontroll, ku kanë gjetur dhe sekuestruar kominoshet e punës, një laps dhe një fletore, në të cilën dyshohet se është shkruar letra e gjobëvënies.

Ardian Muka tashmë është arrestuar për dy akuza, atë të “Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë” dhe “Mbajtjes pa leje të municioneve”.

Ndërkohë, disa ditë më parë, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorit Vukaj, vendosi caktimin e masës “Arrest në burg” për të ndaluarin Ardian Muka.