AKTUALITET, 2 Nëntor 2021, 17:16

Planeti në rrezik nga ndryshimet klimatike/ Përse janë mbledhur 120 liderë botërorë në Glasgow?

Planeti në rrezik nga ndryshimet klimatike/ Përse janë mbledhur

Rreth 120 liderë botërorë janë mbledhur në Glasgow të Skocisë për të marrë pjesë në Konferencën e OKB, mbi ndryshimet kilmatike, e njohur ndryshe si COP26.

Kjo konferencë dy javore, synon që përfaqësuesit e shteteve të negociojnë për të ndërmarrë  aktet e nevojshme, në ndihmë të planetit dhe për të frenuar ndryshimet klimatike.

Fokusi kryesor është frenimi i rritjes së temperaturave, në mënyrë që ngrohja e planetit  të mos kalojë mbi 1.5 gradë, çka do të kishte pasoja mjaft të rënda për tokën.

Vendet duhet të ndërmarrin politika të guximshme, por edhe të kushtueshme për të adoptuar infrastrukturën “jeshile”.

Presidenti i COP, Alok Sharma, tha se “shkenca është e qartë dhe se dritarja për të mbajtur gjallë shpresën e temperaturës 1.5C, dhe për të evituar efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike, po mbyllet me shpejtësi. Me vullnetin politik dhe vendosmërinë, ne mundet dhe duhet të sjellim rezultatet në Glasgow, për të cilat bota duhet të jetë krenare“.

COP26 do të vendosë përballë njëra tjetrës vendet që prodhojnë më shumë ndotje, me vendet që janë më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike.

Ky samit do të përforcojë idenë se Marrëveshja e Parisit po funksionon dhe se duhen angazhime të shtuara në financa. Duke kaluar nga premtimet e Parisit, tek lajmërimet në sektorë të ndryshëm, si makinat elektrike, uljen e shpyllëzimit dhe adresimin e emetimeve të metanit.

Në samit, Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama.

Shqipëria është një vend mjaft i rrezikuar nga ndryshimet klimatike dhe pasojat që këto ndryshime mund të sjellin, veçanërisht nga përmbytjet, për shkak të pozicionit gjeografik.