SPORT, 27 Tetor 2021, 20:53

Seria A/ Sassuolo shtang Juventusin në Torino

Seria A/ Sassuolo shtang Juventusin në Torino

Sassuolo për herë të parë në histori ka triumfuar kundër Juventusin në Torino dhe sigurisht që sonte festa e tyre do të zgjatë deri vonë. Bardhezinjtë janë befasuar në minutën e fundit të ndeshjes, kur Lopez me një parabolë i ndëshkoi dhe u shkaktoi humbjen.

Sassuolo kishte kaluar në avantazh në fundin e pjesës së parë, me anë të Frattesi (44’). Juventusi u hodh në sulm dhe barazoi me McKennie (76’), por në fund u mposht në mënyrë dramatike me golin e Lopez (94′) dhe konfirmon kështu edhe problemet që ka këtë sezon.

Sonte ka festuar edhe Atalanta, që ka triumfuar me rezultatin 3-1 me përmbysje kundër Sampdorian. Ekipi nga Genoa realizoi që në minutën e 10 me Caputo, por festa zgjati shumë pak. Askildsen shënoi në portën e tij, kurse Zapata kaloi në epërsi skuadrën e Gasperini. Në fund shënoi një gol edhe Ilicic.

Në barazim ka përfunduar takimi mes Udinese e Hellas Verona. Barak me penallti i ka hequr dy pikë skuadrës friuliane, që kishte kaluar në avantazh që në minutën e tre më anë të Success.