IDE, 4 Tetor 2021, 16:46

Kryeministri importon krizën europiane për të favorizuar spekullantët

Kryeministri importon krizën europiane për të favorizuar

Ishte e pazakontë dhe e dyshimtë për një kryeministër, dalja publike e Edi Ramës për të paralajmëruar një “krizë të jashtëzakonshme”, si ajo e tërmetit dhe e pandemisë, për shkak të rritjes së pritshme “marramendëse” të çmimeve të energjisë, që do të ndodhë gjatë një “dimri të tmerrshëm”.

Kryeministrat dalin për të qetësuar, për ta shmangur e jo për ta nxitur panikun; dalin për të lajmëruar kurën për pasojat e një krize, jo për të shpallur fatalitetin krizës.

Reagimi i kryeministrit tonë duket edhe më i pajustifikuar, nëse bëhet një vlerësim i shpejtë i gjendjes së sotme të energjisë në Europë dhe Shqipëri.

Çmimet e gazit natyror janë rritur ndjeshëm, gjatë javëve të fundit, në gjithë Europën. Në fakt, rritja graduale e tyre ka filluar prej një viti, për shkak të dimrit të ashpër dhe punës nga shtëpia të shumë europianëve që rriti kërkesën për gaz për ngrohje.

Për shkak se gazi është, gjithashtu, lënda më e përdorur në prodhimin e energjisë elektrike në BE, ka filluar prej javësh edhe një rritje e çmimit të energjisë elektrike në shumë vende.

Nga ana tjetër, duke qenë ka filluar një prirje për të zëvendësuar gazin me naftë, si rezultat është duke rritur edhe çmimi i naftës në shumë vende europiane.

Pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë po ndihen në një sërë industrish, duke shkaktuar probleme serioze ekonomike në shumë prej tyre.

Dimri mund t’i përkeqësoje gjërat, duke rritur kërkesën për ngrohje, e cila realizohet më së shumti me gaz dhe energji elektrike në mbarë Europën.

Përtej rritjes së kërkesës për energji, ka shumë tregues që të çojnë në përfundimin se kriza ka të bëjë me uljen e furnizimit  apo manipulimin e ofertës së gazit.

Rusia është furnizuesja kryesore e Europës me gaz— të paktën 40 për qind e gazit që përdoret në Bashkimin Europian vjen nga Rusia, dhe çdo lëvizje ruse ndikon menjëherë në gjithë tregun e energjisë.

Javën e shkuar, Sekretari i Energjisë i SHBA-ve i bëri thirrje Evropës të rezistojë në një kohë kur “ka aktorë, të cilët mund të manipulojnë furnizimin me qëllim për të përfituar për vete”. Ndërsa, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë i bëri thirrje direkte Rusisë të mos ulë furnizimin me gaz dhe të dëshmojë se është partner i besueshëm ndërkombëtar.

Besohet se Rusia po ushtron trysni ndaj BE-së dhe SHBA-ve në lidhje me gazsjellësin Nord Stream 2, që lidh Rusinë me Gjermaninë. Projekti ka mbetur pezull nga kundërshtimi i ashpër i SHBA-ve, pasi ai do të rrisë varësinë e Europës nga Rusia.

Presidenti Biden është shprehur kohët e fundit se mund të tërheqë kundërshtinë amerikane për projektin dhe duket se Rusia ka rritur presionin.

Nga ana tjetër, BE ka në fuqi sanksione ekonomike kundër Rusisë, e cila po përpiqet ta detyrojë BE-në të tërhiqet prej tyre.

Natyrisht, rritja e çmimeve është ndikuar nga ndryshimet në sektorin e energjisë. Hollanda dhe disa vende të tjera po bëjnë kalimin nga energjia e prodhuar nga qymyri tek energjia e pastër. Por ky kalim po ndodh me vështirësi, sidomos kur energji të tila si ajo diellore dhe e erës lëkunden në varësi të kushteve të motit.

Gjendja e tanishme në Europë ka krijuar pesimizëm për periudhën e dimrit, veçanërisht kur ekonomia europiane po rikthehet në nivelet normale pas epidemisë dhe ka kërkesë të rritur për energji.

Megjithatë, nuk ka ende shpjegime e parashikime nëse kemi të bëjmë me një rritje të shkëputur momentale apo me fillimin e një rritje që do zgjasë gjatë.

Por e ndryshme është gjendja në Shqipëri.

Shqipëria është konsumatore minimale e gazit, i cili përdoret pak në industri dhe familje. Prandaj, rritja e çmimeve të gazit në tregjet europiane ka efekte të kufizuara ekonomike në vendin tonë.

Shqipëria përdor kryesisht energjinë elektrike për ngrohje dhe industri. Prodhimi vendas i saj realizohet 100 për qind nga hidrocentralet. Në periudhën e lagësht, ne prodhojmë më shumë elektricitet se sa konsumojmë dhe eksportojmë një pjesë të prodhimit. Gjatë verë, kur rezervat ujore të liqeneve janë të pakta ne importojmë elektricitet.

Për këtë arsye, prodhimi dhe çmimet e energjisë elektrike në Shqipëri nuk varen nga tregjet europiane, të paktën gjatë periudhës së rreshjeve. Përkundrazi, Shqipëria mund të përfitojë nga kriza europiane për të shitur më shtrenjtë elektricitetin që do eksportohet gjatë dimrit.

Rritja e çmimit të naftës në Europë e për rrjedhojë në Shqipëri ndikon në koston e transportit të brendshëm, por ky ndikim është i kufizuar pasi transporti është element i ulët kostoje në kushtet kur shumica e ekonomisë dhe konsumit të vendit është e përqendruar në zonën Tiranë-Durrës-Fier.

Problem i naftës ka edhe një element tjetër. Shqipëria prodhon dhe eksporton mbi gjysëm miliardë euro naftë të papërpunuar në vit. Nëse kjo naftë do të përpunohej në vend, varësia nga nafta e huaj do të ishte shumë më e ulët.

Ka vite që qeveria premton investime private në rafinerinë e Ballshit, por nuk i ka mundësuar kurrë. Ndërkohë që kompanitë e nxjerrjes së naftës nuk paguajnë taksa, pasi nuk deklarojnë fitim prej dekadash.

Për këto duhet të shqetësohet qeveria për të kontrolluar dhe menaxhuar ndikimin e krizës së energjisë në Shqipëri.

Sidoqoftë, ajo nuk duhet kurrsesi të bëjë deklarata që ndihmojnë spekulantët ekonomikë për të abuzuar me çmimet, jo vetëm në fushën e energjisë, por në çdo fushë tjetër./Exit.al/