AKTUALITET, 4 Shtator 2018, 17:56

19 muaj pas djegies dhe 4 pas përmbytjes, Biblioteka kujtohet të rregullojë bodrumin!

Çdo ditë, në Agjencinë e Prokurimit Publik shpallen tenderë për udhëtime me avion jashtë vendit. Punonjësit shtetërore udhëtojnë për në Madrid, Varshavë, Londër, Uashington. Madje, edhe në Johanesburg, apo në Pekin. Të gjitha institucionet shtetërore nuk humbasin asnjë ditë kohë për këto udhëtime, duke i prokuruar në mënyrë të shpejtë.

Por, krejt e kundërta ndodh me punët emergjente, ato të cilat kërkojnë ndërhyrje imediate. I tillë ishte rasti i Bibliotekës Kombëtare, ku çdo individ u ndje i indinjuar pas rasteve të djegies dhe përmbytjes së qindra mijërave titujve të librave, të rinj apo të vjetër. Nëse për shembjen e Teatrit Kombëtar, apo të stadiumit Qemal Stafa, vendimi erdhi menjëherë, për ndërhyrjen në Bibliotekë qeveria ka pritur për një kohë të gjatë, ndoshta shpresonin që më mirë ta shkatërronin dhe ndërtonin kulla, sesa ta rregullonin.

Ditët e fundit, Biblioteka Kombëtare është kujtuar më në fund që të rregullojë bodrumin. Sipas dokumenteve që disponon Tpz.al, ka bërë një tender me objekt "rikonstruksion, punime ndërtimi, punime elektrike, punime mekanike, të sallës 300 të fondeve në katet e nëndheshme të Bibliotekës kombëtare". Mësohet se fondi limit për këtë tender është 1.668.071 lekë të reja.

Në dokumente thuhet se për të kryer aktivitetin provizor në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në kuotën – 4.90 duhet që të bëhet evadimi i gjithë materialit që ndodhet në korridor, shkallës dhe në pjesën e dyshemesë të këtyre ambienteve. Sipas tij, kati i parë i rafteve të vendosura në këtë ambient duhet të boshatiset dhe materialet të dalin jashtë. "Ventilimi i ambienteve duhet të jetë i përhershëm dhe i kontrolluar sipas parametrave. Gjatë thyerjes së betonit duhet të kihet parasysh që vendi të rrethohet dhe ciflat mos të përhapen. Pastrimi i pjesëve të thyera të bëhet herë pas here pasi volumet e gërmimit janë të vogla" thuhet në dokumente.

Më tej shtohet se duhet të ketë një sistem të ventilimit, në mënyrë që të përshpejtojë procesin e tharjes së ambientit në përgjithësi. "Ajri i freskët që do të futet në ambient do të jetë i filtruar nga papastërtitë mekanike si pluhura etj., dhe do të futet në ambient në mënyrë natyrale për shkak të vakuumit që do të krijohet nga dega e ventilimit mekanik të ajrit nëpërmjet ventilatorit" thotë Biblioteka Kombëtare. Më tej thuhet se impianti i ventilimit është parashikuar si impiant provizor, i cili do të shërbejë deri në momentin kur parametrat higrometrik kthehen në gjendje normale, por detyrimisht do të shërbejë gjatë gjithë periudhës 2-4 mujore gjatë së cilës mendohet të evadohet i gjithë fondi i këtij sektori.

Më datë 23 qershor të vitit 2018, Biblioteka Kombëtarë është përmbytur, duke dëmtuar rreth 12 mijë botime, libra dhe materiale të tjera. Pas ngjarjes janë tharë një pjesë e mirë e botimeve, ndërsa gjendja është sërish alarmante. Më 23 qershor, pas reshjeve të vrullshme të shiut, është konstatuar prani uji në një nga sallat e saj në katet e nëndheshme të hapësirave depozituese të koleksioneve bibliotekare, duke dëmtuar/lagur materialet bibliotekare të sistemuara në nivelet e ulta të sallës.

Ndërkohë, më datë 15 mars të vitit 2017, Biblioteka Kombëtare u përfshi nga flakët, zjarri ra në katin e nëndheshëm, ndërsa u dëmtuan disa materiale. Dhe, pas 19 muajve pas djegies dhe 4 pas përmbytjes, Biblioteka kujtohet të rregullojë bodrumin! Do të bëjë tender, i cili parashikohet të zgjasë disa javë, derisa të shpallet fituesi. Dhe, ndërhyrja pritet të zhvillohet pikërisht në vjeshtë, kur të fillojnë dhe shirat! /TPZ.AL/

Dokumentet e tenderit:

Foto nga djegia dhe përmbytja: