AKTUALITET, 28 Nëntor 2019, 10:37

107-vjetori i Pavarësisë/ Shqipëria sot e mbytur në trishtim dhe dhimbje, 40 viktima, Rama krah Metës në Vlorë

107-vjetori i Pavarësisë/ Shqipëria sot e mbytur në trishtim


Sot është 107-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, por Shqipëria është e zhytur në trishtim.

Shumë aktivitete ishin parashikuar nga qeveria dhe bashkitë, por ata janë anuluar për shkak të tragjedisë të ndodhur dy ditë më parë, e ndërsa i vetmi aktiviteti që po zhvillohet është ai i ceremonisë së ngritjes së flamurit në qytetin e Vlorës.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë, kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi. Meta dhe Rama janë shfaqur në krah të njëri-tjetrit në këtë ceremoni.

“Sot nuk është ditë për të festuar por një ditë për të nderuar flamurin kombëtar. Të angazhohemi për të shëruar plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga ky tërmet dhe të jemi pranë atyre që kanë humbur të afërmit.

U goditëm drejtpërdrejtë nga tërmeti. Politika duhet të jetë gjithmonë bashkë për çështjet më të rëndësishme të vendit tonë por sot në këto rast duhet të jetë dhe jam i bindur që do jetë si asnjëherë tjetër, por duhet të jetë edhe nesër për të përmbushur të gjithë ato që kërkon BE.”– u shpreh Meta për mediat.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se këto ditë festash tradicionale kombëtare, të kthehen në ditë të shënuara solidariteti kombëtar.

“MIRËMËNGJES dhe me adresën unike shtetërore për adresimin e çdo kontributi, në https://e-albania.al/dhuro ju uroj të gjithëve Ditën e Pavarësisë dhe uroj që këto ditë festash tradicionale kombëtare, të kthehen në DITË të shënuara SOLIDARITETI KOMBËTAR, në respekt të atyre që s’janë më dhe në mbështetje të familjeve që sot kanë nevojë për TË GJITHË NE.”-shkruan Rama në Facebook.

Ndërsa ministri Sandër Lleshaj në një postim në ku u shpreh ndër të tjera se ky 28 nëntor na gjeti goditur fort, por jo të thyer.

40 persona të vdekur, 658 të plagosur dhe dhjetëra të shpëtuar! Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës, i cili është pasuar në ditët në vijim me lëkundje të tjera toke.

Pas dy netësh ekipet e kërkim-shpëtimit kanë ndërprerë kërkimet në Thumanë pasi personat e raportuar nga familjarët si të humbur janë gjetur, edhe pse të pa jetë.

Ndërsa kërkimet vijojnë në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18, pranë Kryqit të Kuq në qytet. Aty po zhvillohen kërkimet për 6 persona të zhdukur.