AKTUALITET, 27 Mars 2020, 23:28

Zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s, Basha urim për Maqedoninë e Veriut: Proces i vonuar, por i merituar

Zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s, Basha urim për

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka uruar Maqedoninë e Veriut pasi sot ajo u bë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s.

Basha shprehet se ky është një proces i vonuar por tërësisht i merituar pasi Maqedonia e Veriut do jetë vlerë e shtuar për Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Mesazhi i Bashës

Kam kënaqësinë të uroj përzemërsisht, fqinjin tonë, autoritetet shtetërore, vëllezërit dhe motrat tona dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mirëseardhjen në familjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Pa asnjë mëdyshje, ky është një proces i vonuar, por një arritje plotësisht e merituar, një ngjarje historike për MV dhe me peshë gjeostrategjike për NATO-n, që do të shërbejë si një vlerë e shtuar për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë. Uroj dhe besoj fort që shpejt aleancës sonë t’i bashkohen edhe vendet e tjera të rajonit, dhe që politika e sukseshme e zgjerimit të NATO-s në rajon, të shërbejë si shembull për procesin e anëtarësimit të vendeve tona mbi bazë të meritës në Bashkimin Europian.