AKTUALITET, 4 Prill 2021, 19:29

Vjosa Osmani, Presidentja e re e Kosovës

Vjosa Osmani, Presidentja e re e Kosovës

Pas tre raundeve të rregullta të ditës sotme dhe dy seancave të dështuara të djeshme, për shkak të mosplotësimit të kuorumit me 80 vota, Vjosa Osmani, nga sot është presdidentja e re e Kosovës.

Osmani mori në raundin e tretë 71 vota (nga 82) , teksa minumimi për t'u zgjedhur presidente në raundin e tretë ishte 61 vota. Në garën për president ishte dhe kandidati Nasuf Bejta.

Ish-kryetarja e Kuvendit është kështu presidentja e dytë grua pas Atifete Jahjagës. Më parë president të Kosovës kanë qenë Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi, Behxhet Pacolli, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.

RAUNDET E VOTIMEVE TË SOTME

Raundi i parë

Në raundin e parë për President në Kosovë, morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 69 vota, ndërsa kundërshtari i saj Nasuf Bejta nuk ka marrë asnjë votë. 12 fletë votimi kanë qenë të pa vlefshme.

Raundi i dytë

Në raundin e dytë për zgjedhjen për President në Kosovë, morën pjesë 82 deputetë. Për Vjosa Osmani 67 vota kanë qenë pro saj. Vetëm 4 vota kanë shkuar për Nasuf Bejta. 11 vota kanë qenë të pavlefshme.

Raundi i tretë

Në raundin e tretë për zgjedhjen për President në Kosovë, morën pjesë 82 deputetë. Për Vjosa Osmani 71 vota kanë qenë pro saj, të mjaftueshme për t'u zgjedhur presidente.

Profili i Presidentes së dytë të Kosovës, Vjosa Osmani

Kuvendi i Kosovës ka votuar Vjosa Osmani-Sadriun për Presidente të Kosovës.

Ajo ka lindur më 17 maj 1982 në Mitrovicë, Kosovë.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA, njofton KlanKosova.tv.

Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare.

Në mandatet e kaluara Osmani ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.

Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës teksa me 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjatë viteve 2006-2010, ajo ka shërbyer si Shefe e Stafit të Presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në SHBA.

Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjerata tematike në universitete të tjera në Evropë e në ShBA.

Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”.

Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.

Vjosa Osmani është e martuar me Prindon Sejdiun dhe ka dy vajza binjake dhe jetojnë në Prishtinë.

Shefja e re e shtetit flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht.