AKTUALITET, 6 Mars 2019, 21:33

VIDEO/ Rama shfaqet edhe në TG5: Nuk e lë në mes mandatin!

VIDEO/ Rama shfaqet edhe në TG5: Nuk e lë në mes mandatin!

Kryeministri Edi Rama vijon të endet në ekranet televizive italiane duke përsëritur të njëjtat fjalë. Pas intervistës në studion e Rai 1 në emisionin “Porta a porta”, kreu i qeverisë shqiptare dha një intervistë edhe në televizionin “La7” në emisionin “L’aria che tira”. E radhës ishte një intervistë në edicionin e lajmeve të TG5. Fillimisht kreu i qeverisë së Tiranës foli me nota entuziaste për zhvillimin ekonomik në vend duke minimizuar protestën e opozitës.

“Po mundohemi të rritemi më shumë në sektorin e turizmit. Kemi arritur gati gjysmë milionë turistë italianë vitin e kaluar dhe duam ta tejkalojmë këtë numër. Edhe për këtë unë jam në Itali, për t’i thënë të gjithëve që ato pamje jo pozitive janë të një proteste që zhvillohet në një perimetër prej një kilometri, jashtë këtij perimetri jeta vazhdon” – tha Rama.

Edhe në TG5, përsëriti refrenin se protestat po organizohen nga establishmeni i vjetër.

“Është një revoltë e estabilshmentit të vjetër që u largua 5 vite e gjysmë më parë me 1 milion vota, një gjë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe që ka lënë pas një vend me probleme të mëdha, të cilat ne po luftojmë. Ka shumë sfida, Shqipëria nuk është pa probleme, por jemi në rrugën e duhur”.

Në fund një tjetër refren që ka të bëjë me refuzimin për t’i hapur rrugë një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme.

“Kemi një mandat, kemi disa detyrime kundrejt njerëzve dhe nuk mund të themi, tani anulojmë lojën, fillojmë nga fillimi dhe t’i lejojmë kundërshtarëve tanë të bëjnë skuadrën që ata duan për të fituar ndeshjen” – e mbylli Rama.

Të gjithë shqiptarët presin me ankth cila do të jetë intervista e radhës në Itali. /LAPSI.al/