TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mëngjesin e sotëm, kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj. Me disa rreshta, Sako shpjegonte në Facebook se shkak për largimin e saj ishin komentet negative që kishte marrë pas prononcimeve të saj në media.
Sipas Sakos, stresi në të cilat e fusnin komentet negative i kalonin fuqitë e saj dhe për këtë arsye ajo kishte vendosur që të largohej por jo pa falenderuar edhe një herë të fundit ata që e kishin mbështetur.
Por çfarë tha kryebashkiakja e Durrësit, që shkaktoi një reagim kaq të fortë nga opinioni publik?
Në një prononcim për gazetaren e “Top-Channel”, Valbona Sako u shpreh se tërmetet e tjera në botë kanë shkaktuar me mijëra viktima, kështu që duhet të jemi të kënaqur me kaq.
“Ky ishte një tërmet shkatërrimtar. Por të jemi të kënaqur edhe me 50 viktima pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 100 viktima,”– dëgjohet të shprehet Sako. Menjëherë pas prononcimit, Sako i doli në mbrojtje vetes duke ia hedhur fajin medias, e cila sipas saj ia kishte shtrembëruar fjalën.
Në një tjetër prononcim, Sako po fliste për programin e qeverisë për të strehuar të prekurit nga tërmeti në hotele. Në prononcimin e saj në “Abc News”, kryebashkiakja e Durrësit tha se të prekurit nga tragjedia do të strehohen në hotele me pesë yje. Por, pa harruar të bëjë edhe ironi, kryebashkiakja shtoi se ato hotele, këta njerëz nuk do t’i paguanin dot as për pushime.
“Kaosi shkaktohet nga persona që nuk kanë nevojë, ndihmat shpërndahen në mënyrë të organizuar.
I bëj thirrje qytetarëve të Durrësit të jenë të qetë. Punonjësit janë në terren për të evidentuar qytetarët të cilët kanë nevojë, 30 grupe i kemi të shpërndarë në terren.
Qytetarët paraqiten në bashkinë e Durrësit, krijojmë një lëvizje të organizuar me transport dhe i çojmë në hotele në kushtet më të mira.
Janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjtë nuk do të mund t’i paguanin për pushime,”– shtoi Sako më tej.
Pakujdesi dhe disa fjalë jo të peshuara mirë, shkaktuan largimin nga detyra të zonjës së parë të Durrësit.
Dy deklarata për shtyp i dhanë fund karrierës 6 mujorë të Sakos, e cila do të mbahet mend për “zhdukjen misterioze” gjatë ditëve të tërmetit dhe dy gafat e saj të hidhura.