BOTA, 19 August 2026, 09:10

Vendimi/ SHBA sanksionon presidenten e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, përshkallëzohet përplasja me Hagën

SHBA ka ndërmarrë një tjetër masë kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke vendosur sanksione ndaj Tomoko Akane, gjyqtares japoneze dhe presidente së kësaj gjykate me seli në Hagë. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Sanksionet janë pjesë e përshkallëzimit të përplasjes mes administratës së presidentit Donald Trump dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare, institucion në të cilin Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare.

Përplasje për urdhër-arrestet ndaj Netanyahut

Kjo nuk është hera e parë që Uashingtoni vendos masa ndëshkuese ndaj zyrtarëve të GJPN-së. Vitin e kaluar, administrata amerikane vendosi sanksione ndaj disa prokurorëve dhe gjyqtarëve të gjykatës, duke përmendur ndër të tjera urdhër-arrestet e lëshuara ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.

Në shënjestër të kritikave amerikane ka qenë gjithashtu një hetim i mëparshëm i GJPN-së mbi veprimet e trupave amerikane në Afganistan.

Sanksionet amerikane parashikojnë ngrirjen e çdo pasurie që personat e përfshirë mund të kenë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara. Masat kufizojnë gjithashtu aksesin e tyre në sistemin financiar amerikan, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta që bankat ndërkombëtare kanë me sistemin financiar të SHBA-së.

Uashingtoni kërkon dobësimin e Gjykatës

Përplasja ka marrë edhe një dimension diplomatik. Në qershor, tre gjyqtarë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare paditën Donald Trump dhe administratën e tij lidhur me sanksionet, duke argumentuar se masat ishin të paligjshme.

Ndërkohë, muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Uashingtoni do të intensifikonte përpjekjet për të dobësuar GJPN-në, përfshirë edhe përmes një fushate diplomatike për të bindur vende të tjera që të largohen nga institucioni.

Administrata amerikane argumenton se Gjykata përbën një kërcënim për personelin amerikan, përfshirë zyrtarët e përfshirë në zbatimin e politikave të ashpra të administratës Trump për emigracionin, operacionet kundër anijeve të dyshuara për transport droge dhe pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane.

Gjykata: Sanksionet minojnë shtetin e së drejtës

Gjykata Penale Ndërkombëtare i ka dënuar masat e fundit të Uashingtonit.

“Sanksionet amerikane ndaj anëtarëve të rëndësishëm të Gjykatës Penale Ndërkombëtare minojnë shtetin e së drejtës”, thuhet në një deklaratë të gjykatës.

Sipas GJPN-së, kërcënimi ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të drejtësisë për shkak të zbatimit të ligjit rrezikon jo vetëm punën e institucionit, por edhe vetë rendin juridik ndërkombëtar.