BOTA, 18 August 2026, 23:16

Përshkallëzohet përplasja Francë-Iran/ Parisi dëbon dy diplomatë iranianë pas incidentit në Teheran

Franca do të dëbojë në ditët në vijim dy diplomatë iranianë, në një masë hakmarrëse pas përplasjes diplomatike që përfshiu dy punonjës të ambasadës franceze në Teheran. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, përmes një postimi në platformën X.

Vendimi i Parisit vjen një ditë pasi Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se dy punonjës të ambasadës franceze në Teheran nuk do të lejohen të rikthehen në Iran, pasi i akuzoi për shkelje të Konventës së Vjenës dhe për aktivitete në mbështetje të shoqërisë civile iraniane.

Përplasja diplomatike nisi më 19 korrik, kur, sipas autoriteteve franceze, dy punonjës të ambasadës u ndaluan dhe u morën në pyetje nga shërbimet iraniane të sigurisë. Parisi e cilësoi ngjarjen si një “akt jashtëzakonisht serioz intimidimi” dhe si shkelje të imunitetit diplomatik.

Sipas Francës, njëri prej diplomatëve ishte edhe i përfshirë në çështje kulturore dhe programe që mbështesnin studentët, artistët dhe shoqërinë civile iraniane.

Teherani, nga ana tjetër, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Autoritetet iraniane pretendojnë se dy punonjësit ishin përfshirë në aktivitete që përbënin “ndërhyrje në punët e brendshme” të Iranit dhe se veprimet e tyre nuk mbroheshin nga Konventa e Vjenës.

Ministri Barrot e cilësoi ndalimin e diplomatëve francezë si një veprim “skandaloz dhe të qëllimshëm”, duke deklaruar se Parisi kishte paralajmëruar më herët se ngjarja do të kishte pasoja.

“Dy diplomatë iranianë në Francë do të dëbohen në ditët në vijim”, deklaroi Barrot.

Vendimi shënon një përshkallëzim të ri të tensioneve diplomatike mes Parisit dhe Teheranit, në një kohë kur marrëdhëniet mes Iranit dhe vendeve perëndimore janë të tensionuara edhe për shkak të zhvillimeve të sigurisë në Lindjen e Mesme.

Deri tani, Irani nuk ka njoftuar masën që do të marrë në përgjigje të dëbimit të dy diplomatëve të tij nga Franca.