TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nëse është dikush që di se cilat rrethana paralajmërojnë shembjen e një superfuqie, sigurisht që është Mikhail Gorbaçov. Duke komentuar trazirat e fundit në SHBA ish-udhëheqësi sovjetik thotë se sulmi në Capitol është tregues i një kërcënimi për vijueshmërinë e ekzistencës së SHBA si shtet në formën e saj aktuale.
Në intervistën për Interfax, Gorbaçov shprehu besimin se sulmi i 6 janarit në Uashington ishte i planifikuar paraprakisht. Po ashtu ai shton se është e qartë edhe kush është përgjegjësi.
“Sulmi ndaj Capitol-it ishte planifikuar qartë paraprakisht, dhe është e qartë nga kush”, tha Gorbaçov. “Do të duhet pak kohë, por ne do të kuptojmë arsyet përse u bë në të vërtetë”, shpjegon ai.
Ish-udhëheqësi sovjetik gjithashtu foli për marrëdhëniet moderne midis SHBA-së dhe Rusisë, duke përfshirë mundësinë e një gare të ardhshme armatimesh.
Në vitin 1987, Gorbaçov dhe presidenti i atëhershëm i SHBA Ronald Regan nënshkruan një marrëveshje çarmatimi, të cilës Trump i dha fund.
Sipas mendimit të tij, “brezi i ri” do të refuzojë idenë e një gare armatimesh. “Njerëzit që nuk duan luftë do të bashkohen dhe udhëheqësit e tyre do të duhet të gjejnë një rrugëdalje”, tha ai.
“Ata do të gjejnë forma të reja të traktateve që marrin parasysh llojet e reja të armëve. Ne nuk duhet të humbasim shpresën. Unë nuk e humbas shpresën tek të rinjtë”, u shpreh ai.