AKTUALITET, 29 Nëntor 2019, 17:51

Sulm terrorist me thikë në Londër, dy të vdekur dhe disa të lënduar. Agresori vritet në vendngjarje

Sulm terrorist me thikë në Londër, dy të vdekur dhe disa

Një sulm terrorist me thikë, ka ndodhur në kryeqytetin britanik, Londër. Autoritetet njoftojnë se incidenti ndodhi në London Bridge. Policia konfirmon se dy persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij sulmi dhe tre të tjerë janë plagosur.

Raportohet se agresori është qëlluar nga policia dhe ka ndërruar jetë, por më parë ai u konfrontua nga kalimtarët. Në disa video, duket se kalimtarët e kanë bllokuar dhe i kanë hequr thikën nga duart këtij personi.

Policia ka konfirmuar gjithashtu, se agresori mbante të veshur një jelek me eksplozivë fallco, por në pamundësi për ta ditur këtë gjë, policia e ka qëlluar menjëherë agresorin.

"Një i dyshuar u qëlluar nga policia dhe mund t'ju konfirmojmë se ai ka vdekur në vendngjarje", njofton policia.

Ngjarja po trajtohet si një sulm terrorist.

Sulmi ndodhi në një zonë shumë të populluar. Dita e sotme njihet si "Black Friday" në Britani, kur qytetarët dyden në dyqane për shkak të uljeve të shumta dhe rrugët janë të mbipopulluara.

Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan, konfirmoi se disa persona janë lënduar nga sulmi dhe u bëri thirrje qytetarëve që nëse posedojnë video të sulmit, t'i dorëzojnë tek autoritetet dhe të mos zbulojnë identitetin e punonjësve të rendit.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet britanike e kishin ulur nivelin e rrezikut nga sulmet terroriste nga në "shumë të mundshme" në "të konsiderueshme".

/TPZ.al/