AKTUALITET, 29 Nëntor 2019, 14:47

Kreu i Emergjencave Civile: Në Tiranë ka rreth 350 shtëpi të dëmtuara, më problematik Kombinati

Kreu i Emergjencave Civile: Në Tiranë ka rreth 350 shtëpi të

Drejtori i Emergjenca Civile për Tiranën, Erindi Bejko, bëri një pasqyrim të gjendjes së vështirë në kryeqytet, pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit. I ftuari në rubrikën “Opinion”, në News24, Bejko iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që iu rrezikohen banesat që të dalin me urgjencë për të shpëtuar kokën dhe jetën e tyre.

“Lufta me fenomene natyrore dihet se nga anon fuqia, që është nga natyra, por ne nuk duhet të dorëzohemi. Tani duhet të fitojmë luftën psikologjike me panikun. Njerëzit janë njëlloj në panik, si kur kanë vetëm krisje, ashtu edhe kur iu janë shembur shtëpitë. Të gjithë thonë “problemi im është më i madh se i të gjithëve”. Ne nuk patëm fatin fatal, që pati Durrësi e Thumana”, tha Bejko.

A ka një statistikë se sa ndërtesa janë shpallur problematike në Tiranë dhe zonat përreth?

Është vështirë të të jap një shifër zyrtare. Shifra që ne shohim është që kemi shtëpi private në zonat rurale 300-350 të dëmtuara. Ne kemi aq inxhinierë, sa për të dhënë drejtim aty ku situata është më alarmante. Kemi një pallat të pabanueshëm në Kombinat, banorët janë evakuuar dhe po jetojnë te ambientet e vëna në dispozicion nga bashkia, por edhe te të afërmit e tyre. Ka persona që nuk pranojnë të evakuohen, por unë iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që iu rrezikohen banesat, të lëvizin, të shkojnë te të afërmit, se koka, jeta është më e rëndësishme.