AKTUALITET, 19 Janar 2021, 18:36

Stërvitje ushtarake/ Avionë luftarakë dhe tanke, Irani tregon forcën para betimit të Biden

Stërvitje ushtarake/ Avionë luftarakë dhe tanke, Irani tregon

Pak orë nga betimi i Joe Biden, Irani i ka treguar forcën presidentit të ri të SHBA-së përmes një stërvitje ushtarake, e cila ishte e pesta brenda dy javëve. Teherani zbriti në terren forcat speciale, avionët luftarakë, helikopterët dhe tanket.

Televizioni shtetëror transmetoi pamjet e ushtarëve duke hedhur parashutën nga avionët me skenat që i ngjanin një lufte të vërtetë.

“Sot, forcat tokësore të ushtrisë kanë arritur aftësi të konsiderueshme operacionale në vendosjen e dronëve dhe raketave” tha gjeneral brigade Mohammad Hussein Dadras, nënkryetari i ushtrisë iraniane.

“Kjo është fuqia e forcave tokësore të ushtrisë për t’iu përgjigjur kërcënimeve” tha më tej ai. “Duart tona janë në këmbëz” tha komandanti i përgjithshëm Husein Salami.

Administrata në largim e Donald Trump ka ndjekur një politikë “presioni maksimal” të shoqëruar me sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit, ndërsa tensionet u rritën pas vrasjes se gjeneralit Soleimani në Bagdad vitin e kaluar.

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka premtuar uljen e tensioneve me Teheranin duke rikthyer marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 nga e cila Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme në 2018.