SPORT, 19 Shtator 2022, 22:14

Trajner i ri për Frederik Veselin, do ta drejtojë italiani i fundit që fitoi “Topin e Artë”

Trajner i ri për Frederik Veselin, do ta drejtojë italiani i fundit

Frederik Veseli do të  gjejë një trajner të ri në drejtim kur të kthehet në klubin e tij nga grumbullimi me përfaqësuesen shqiptare. Benevento ka vendosur të shkarkojë Fabio Kaserta nga drejtimi dhe pritet që të afrojë një emër të bujshëm, ish-mbrojtësin e Italisë, Fabio Kanavaro.

Ky i fundit, pas eksperiencave në Kinë, ku ka drejtuar klube dhe kombëtaren për disa muaj, ka vendosur që të tentojë një eksperiencë në Europë. Ai po e nis me Beneventon, në Serinë B, për të synuar ngjitjen në elitë dhe për të qenë protagonist në futbollin e rëndësishëm Italian. Sipas mediave italiane, në ditët në vijim pritet firma në kontratën dyvjeçare me këtë klub.

Kanavaro, një nga mbrojtësit më të njohur të viteve 2000, ishte kapiteni i Italisë në triumfin në  Botërorin 2006 dhe është italiani i fundit që ka fituar “Topin e Artë” pasi bëri të vetin trofeun në atë vit.