SPORT, 12 Qershor 2026, 20:34

Portugalia ëndërron titullin, Ronaldo: Objektivi ynë është kreu i grupit

Portugalia ëndërron titullin, Ronaldo: Objektivi ynë

Cristiano Ronaldo shfaqet i bindur dhe plot besim në prag të nisjes së Botërorit të tij të gjashtë në karrierë. Kapiteni i Portugalisë foli për objektivat e skuadrës përpara debutimit në turne, që do të zhvillohet më 17 qershor ndaj Republikës Demokratike të Kongos në Houston.

Ylli luzitan theksoi se ekipi e pret me entuziazëm këtë kompeticion, duke e cilësuar Botërorin si një ngjarje gjithmonë të veçantë.

“E nisim me shumë gëzim. E dimë që Botërori është gjithnjë një kompeticion special dhe nisemi me shpresa të mëdha”, deklaroi Ronaldo.

I pyetur për gjendjen e tij fizike, 40-vjeçari u shpreh i kënaqur me formën aktuale, ndërsa vlerësoi punën e bërë gjatë fazës përgatitore.

“Jam mirë, nuk i keni parë ndeshjet? Përgatitja ka qenë e vështirë sepse kemi punuar shumë. Fitoret erdhën, por gjëja më e rëndësishme është kur topi do të nisë të rrotullohet më 17 qershor në ndeshjen e parë. Pastaj, kur gjërat të vështirësohen, aty do të shohim kampionët e vërtetë”, tha ai.

Ronaldo nënvizoi se objektivi i parë i Portugalisë është kualifikimi si kryesuese e grupit, duke kërkuar qetësi dhe progres gradual gjatë rrugëtimit në turne.

“E rëndësishme është të kualifikohemi të parët në grup, hap pas hapi, me qetësi, duke fituar besim dhe duke gjetur ritmin”, shtoi sulmuesi portugez.

Në lidhje me mundësinë që Portugalia të konsiderohet një nga pretendentet për titullin botëror, Ronaldo preferoi të tregojë maturi.

“Këtë do ta dimë vetëm në fund. Është një brez shumë i fortë, por ka shumë faktorë që nuk mund t’i kontrollojmë. Gjithsesi, besoj se kjo është një kombëtare që do t’i sjellë shumë gëzim popullit portugez”, përfundoi Ronaldo.