TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Luçiano Spaleti po ndjek me vëmendje të madhe merkaton e Juventusit, duke qenë i përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet për ndërtimin e skuadrës së re.
Trajneri bardhezi ka identifikuar si prioritet përforcimin e boshtit kryesor të ekipit, nga portieri deri te sulmuesi, me synimin për ta rikthyer Juventusin mes pretendentëve kryesorë në Itali. Megjithatë, rruga nuk ka qenë e lehtë. Spaleti ka marrë tre refuzime të rëndësishme në merkato. Njëri prej tyre ishte portieri brazilian Alison Beker, i cili vendosi të qëndrojë te Liverpuli. Mungesa e Juventusit në Ligën e Kampioneve dhe qëndrimi i prerë i klubit anglez bënë të pamundur transferimin. Tashmë objektivi kryesor për portën është Emiliano Martinez, ndërsa Gulielmo Vikario mbetet alternativa e dytë.
Në mbrojtje, situata mbetet delikate. Gleison Bremer mund të largohet në rast të një oferte të rëndësishme nga një klub i madh europian. Nëse kjo ndodh, Spaleti ëndërron rikthimin në Itali të koreano-jugorit Kim Min-jae, aktualisht pjesë e Bajern Munihut. Një tjetër emër në listë është ekuadoriani Xhoel Ordonez.
Edhe në mesfushë ka pengesa. Leon Goretzka pëlqehet nga trajneri, por kërkesat financiare të gjermanit konsiderohen shumë të larta për parametrat e vendosur nga klubi. Ndërkohë, në repartin ofensiv, pista Bernardo Silva është ftohur ndjeshëm pas dështimit për t’u kualifikuar në Champions. Tani drejtuesit po fokusohen te Brahim Diaz, edhe pse negociatat me Real Madridin nuk pritet të jenë të lehta.
Në sulm, Spaleti ka marrë një tjetër goditje me mosrinovimin e kontratës së Dushan Vlahoviç. Për këtë arsye, tekniku italian kërkon afrimin e dy sulmuesve, Alekander Sorloth dhe Randal Kolo Muani.
Ditët e fundit në mediat italiane kanë qarkulluar zëra se Spaleti mund të japë dorëheqjen nëse Juventusi nuk arrin objektivat e tij në merkato. Megjithatë, sipas burimeve pranë klubit, ky skenar nuk qëndron. Pas dështimit për të siguruar një vend në Champions, trajneri zhvilloi takime me drejtuesit e lartë të klubit dhe u vendos që bashkëpunimi të vazhdonte.
Spaleti është i vetëdijshëm se merkatoja pa kartën e Champions është shumë më e vështirë, por nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ai ka paraqitur dëshirat e tij për përforcime, duke e ditur se jo të gjitha mund të realizohen. Pavarësisht vështirësive, trajneri italian mbetet i vendosur të vazhdojë projektin dhe të bëjë një Juventus më konkurrues në sezonin e ardhshëm.