SPORT, 14 Tetor 2025, 18:23

Kërkon me çdo kusht Botërorin, Nejmar iu vetëofrua Napolit dhe pretendentit në Serinë A

Kërkon me çdo kusht Botërorin, Nejmar iu vetëofrua Napolit

Sulmuesi brazilian Nejmar kërkon me çdo kusht të jetë i pranishëm në Botërorin e vitit të ardhshëm. Por për të bindur Karlo Ançelotin, i cili nuk e ka pasur ende nën urdhrat e tij, atij i duhet të parë të tregojë sa vlen në nivelet më të larta.

Dhe meqë te Santos në Brazil një gjë e tillë duket pak e mundshme, Nejmar po mendon kthimin në Europë për një eksperiencë të fundit në një nga kampionatet e mëdha, i bindur se i mjaftojnë pak muaj për të treguar sa vlen dhe për të siguruar një ftesë për Kupën e Botës.

Sipas Fabricio Romano, përfaqësues të lojtarit i kanë ofruar shërbimet e tij klubit të Napolit, por jo vetëm atij. Në fundin e sezonit të kaluar, ata kanë folur me skuadrën e cila po shpallej kampione në Serinë A dhe më pas, kanë trokitur edhe në dyert e Interit, të gatshëm të hapin bisedime me të dy klubet nëse shfaqin interes konkret për të patur lojtarin në radhët e tyre.

Por në të dy rastet kanë marrë një përgjigje negative, qoftë për shkak të kushteve financiare jo të përshtatshme, ashtu edhe gjendjes fizike të lojtarit i cili vuan vazhdimisht nga problemet që e detyrojnë të bëjë pushim.

Megjithatë, situata mund të bëhet interesante edhe një herë në muajin janar, pasi atëherë Nejmar do të jetë futbollist i lirë dhe mund të transferohet me parametër zero, duke ia bërë më të thjeshtë çdo klubi që e kërkon, qoftë edhe vetëm për pjesën e dytë të sezonit si një përforcim shtesë.