TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria regjistroi të tjera rezultate të mëdha me sportin e mundjes, duke fituar një medalje ari dhe një bronzi në Kampionatin Europian që po mbahet në Bratislavë. Arritje që mbajnë firmën nga Chermen Valiev, i cili u shpall kampioni i Europës dhe Zelimkhan Abakarov, i ngjitur në shkallën e tretë të podiumit. Pas kthimit në Tiranë, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, ka komentuar për “Panorama Sport” paraqitjet e medalistëve kuqezinj:
“Realisht, ky rezultat nuk është aspak surprizë për ne, sepse fakti që vijmë nga olimpiada me dy medalje historike është një tregues. Mendoj që ne do ktheheshim me tri medalje nga ky Kampionat Europian, por fatkeqësisht Islam Dudaev nuk ka qenë deri në ditën e fundit para aktivitetit dhe vendosëm që mos ta aktivizojmë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Por absolutisht në Europian shkonim me pritshmëri shumë të larta”, deklaron Prizreni.
Kreu i federatës ndalet më tej finalja, që pa fitues Chermen Valievin ndaj një rivali jashtëzakonisht të fortë si Zaurbek Sidakov. “Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe mundëm sportistin më të mirë që ka Rusia dhe një prej më të mirëve të botës, kampion olimpik, botëror dhe europian, siç është Zaurbek Sidakov. Mendoj që kjo finale ishte qershia mbi tortë që na dhuroi një gëzim shumë të madh edhe pse pritshmëria jonë ishte e lartë për medaljen e artit, si nga vetë Chermeni gjithashtu edhe nga unë personalisht bashkë me të gjithë stafin e federatës”.
Prizreni vlerëson gjithashtu edhe paraqitjen e Zelimkhan Abakarovit, edhe pse priste një tjetër finale edhe prej tij: “Kërkonim që minimalisht edhe Abakarov duhej të ishte në finale, pasi ne e kishin dominuar kundërshtarin në Kampionatin Botëror, duke e mundur. Por përsëri jam shumë i kënaqur, pasi është një arritje fantastike jo vetëm për mundjen, por për të gjithë Shqipërinë, pasi ngritëm flamurin shqiptar në Europian dhe u dëgjua himni ynë. Më shumë se kaq nuk mund të prisja nga djemtë dhe u jam mirënjohës për dedikimin, sakrificën dhe për rezultatet fantastike që vazhdojnë të na dhurojnë. Pra më mirë se kaq nuk mund të prisja”.
Nuk mund të mungonte edhe një koment për incidentin e shëmtuar gjatë ceremonisë së medaljeve, me presidentin e federatës rusë që pati një sjellje agresive ndaj Chermen Valievit. Prizreni e shpjegon kështu atë që incidentin e ndodhur në Bratislavë: “Mendoj që ishte një moment emocional i presidentit të Federatës së Rusisë, i cili është njëkohësisht edhe zv.president i Federatës Botërore, Mikhail Mamiashvili, që është edhe një mik i imi. Por mendoj që janë momente që ngelin aty te tapeti. Unë e takova direkt pas ceremonisë, por mos të harrojmë që Valiev mundi sportistin më të mirë të Rusisë.
Valiev është gjithashtu një prej sportistëve më të mirë që ka pasur Rusia dhe sigurisht që të shikosh një sportist që vjen nga Rusia dhe të mundi sportistin më të mirë tëndin me një tjetër flamur, sigurisht që shija nuk është e mirë. Por mendoj që këto janë gjëra që ndodhin në sport, por nuk ishte një figurë e mirë për vetë presidentin e Federatës së Rusisë, gjithashtu edhe për imazhin e sportit të mundjes. Por janë momente që mbesin aty në tapet. Në takimin që pata pas ceremonisë i thashë se cili ishte problemi, por gjithçka u mbyll me një përqafim. E rëndësishme ishte titulli kampion i Europës dhe për ne është arritur misioni”, shprehet presidenti i FSHM-së.
Në fund, Prizreni shikon përpara, teksa shënjestron objektivin e radhës, Kampionatin Botëror: “Objektivi i radhës për ne është Kampionati Botëror që do të zhvillohet në Kroaci, ku mendoj dhe shpresoj që do të jetë një kompeticion që do të na dhurojë emocione. Djemtë janë të motivuar dhe të karikuar, gjithashtu federata është në dispozicion jo vetëm të sportistëve që kanë arritur medalje, por edhe për mundësit e tjerë, pasi presim shumë prej tyre.
Tashmë mundësit shqiptarë kanë një model për ta prekur, për ta parë dhe për ta ndjekur siç janë djemtë medalistë. Mendoj që kjo është diçka shumë e mirë, pasi produkti vendës duhet të përfitojë nga këto rezultate”, përfundon presidenti i mundjes shqiptare.