TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Udhëtimi im mes Brazilit dhe Italisë ka qenë plot sfida dhe triumfe, duke formuar lojtarin dhe personin që jam sot. Dy shtete, dy skuadra, emocione të pafundme. Dhe ky është vetëm fillimi”. Me këtë postim në Instagram, Bremer shpalli daljen e episodit të dytë të podkastit të tij “Bremer Inside”.
Mbrojtësi i Juventusit është duke punuar për rikthimin e tij në prag të sezonit të ardhshëm, pas thyerjes së ligamentit që e ka mbajtur larg fushës, por ai është tashmë i fokusuar tek e ardhmja. Ndërkohë që mund vetëm të mbështesë nga larg pjesën tjetër të skuadrës, numërimi mbrapsht i kohës për të veshur sërish ngjyrat e klubit ka filluar.
E ARDHMJA- Mbrojtësi brazilian i “Zonjës së Vjetër” ka trajtuar tema të ndryshme, duke folur edhe për objektivat që duhet të arrihen me fanellën bardhezi: “Juve? Momenti më i bukur ka qenë vitin e kaluar kur fituam Kupën e Italisë. Objektivat për të ardhmen? Dëshiroja të vazhdoja të luaja për të fituar kampionatin dhe diçka edhe më të madhe, por është një histori që ende duhet ta shkruaj këtu te Juventusi. Fatkeqësisht, u dëmtova, por do të kthehem më i fortë dhe do t’u japim shumë gëzime tifozëve, do të fitojmë tituj të mëdhenj”.
BRAZILI- “Nga Brazili më mungon ajo liri, pak edhe plazhet, natyra në vetvete. Kur rritesh, fillon të kuptosh futbollin dhe të jesh sportist, Kombëtarja është objektivi i madh. Të thirresh është një nder, një krenari, dhe për mua nuk ka qenë ndryshe. Kur mora thirrjen e parë isha në shtëpi me familjen, prisja këtë lajm dhe ishte një moment i lumtur. Menduam me vete: ‘Do ta kem këtë thirrje dhe pastaj do të vijë Kupa e Botës dhe mund të thirrem’. Dhe kështu ndodhi.”
PËRSHTATJA NË ITALI – Ai foli gjithashtu për vështirësitë e përshtatjes që kishte në Itali në fillim, kur ende mbante fanellën e Torinos. “Viti im i parë në Itali ishte i vështirë sepse, përveç të gjitha vështirësive normale të përshtatjes, nuk luaja dhe nuk shkoja mirë as brenda as jashtë fushës. Por besoj se çdo gjë ka një qëllim dhe arsye, dhe ia vlejti, dhe më pas arrita të shoh nga e kam nisur dhe çfarë kam dashur të bëj për të qenë aty ku jam. Tani jam edhe piemontez, shumë shpejt do të më japin çelësat e qytetit. Italia në përgjithësi është shumë e qetë, plazhet janë të mrekullueshme, më pëlqen shumë të shkoj në Sardenjë me gruan time dhe e vlerësoj stilin elegant të italianëve, është vërtet i bukur”, tha ndër të tjera Gleison Bremer.