SPORT, 29 Nëntor 2025, 14:24

Brazil, avokatët e Bolsonaros apelojnë dënimin me 27 vjet burg, u akuzua për grusht shteti ndaj presidentit Lula Da Silva

Brazil, avokatët e Bolsonaros apelojnë dënimin me 27 vjet burg, u

Avokatët mbrojtës të ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro paraqitën një apel të premten, kundër dënimit të tij me 27 vjet burg, për tentativë grushti shteti.

Tre ditë pasi Gjykata Supreme e Brazilit vendosi që Bolsonaro kishte shteruar të gjitha mjetet ligjore dhe duhet të vuajë dënimin e tij, avokatët e tij po kërkojnë “anulimin e procedurës penale” dhe “lirimin e tij nga akuzat”, sipas një dokumenti të cituar nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).

Pasi hodhi poshtë një apel të mëparshëm në fillim të nëntorit, Gjykata Supreme vendosi që të gjitha mjetet ligjore në dispozicion të Bolsonaros ishin shteruar, një pretendim i kundërshtuar nga ekipi ligjor i ish-presidentit.

Bolsonaro, 70 vjeç, filloi të vuante dënimin e tij të martën në selinë e policisë federale në kryeqytetin Brasilia.

Ai kishte qenë në arrest shtëpiak që nga fillimi i gushtit, por u la në paraburgim si “i dyshuar i arratisur” pasi u përpoq të shkatërronte byzylykun e tij elektronik me një saldator elektrik. Avokatët e tij mohuan se ai ishte përpjekur të arratisej dhe ia atribuan incidentin një gjendjeje “konfuzioni mendor” të shkaktuar nga ilaçet që po merrte. Justifikimi u hodh poshtë nga Gjykata Supreme.

Në shtator, Bolsonaro u shpall fajtor nga Gjykata Supreme për konspiracion – së bashku me oficerë të lartë të forcave të armatosura – që synonin “qëndrimin e tij autoritar në pushtet” pas fitores së presidentit aktual të Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, në zgjedhjet e tetorit 2022.

Sipas padisë, komploti – i cili përfshinte një plan për të vrarë Lulën – dështoi sepse Bolsonaro nuk arriti të siguronte mbështetjen e udhëheqjes ushtarake.

Pesë nga ish-bashkëpunëtorët e tij, përfshirë disa gjeneralë dhe ish-ministra, gjithashtu filluan të vuanin dënime me burg nga 19 deri në 26 vjet të martën.

Të mërkurën, Lula tha se Brazili i kishte dhënë botës një “mësim mbi demokracinë”.

“Për herë të parë në 500 vitet e historisë së këtij vendi, dikush po burgoset për përpjekje për grusht shteti”, tha presidenti brazilian.

Gjyqi i Bolsonaros ka shkaktuar një përplasje të madhe diplomatike midis Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara, pasi ish-presidenti i ekstremit të djathtë ishte aleat i Donald Trump. Duke përmendur një “gjueti shtrigash” kundër Bolsonaros, presidenti amerikan vendosi tarifa ndëshkuese për importet e disa produkteve braziliane. Ai i uli ndjeshëm ato pas takimit të tij me Lulën në tetor.

Jair Bolsonaro është ish-presidenti i katërt brazilian që burgoset që nga fundi i diktaturës ushtarake (1964-1985).