TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria dhe Mali i Zi mund të kenë mundësi të dërgojnë nga një komisioner në Bruksel përpara anëtarësimit formal në Bashkimin Evropian, sipas planeve të reja që po shqyrtohen nga Komisioni Evropian.
Lajmi bëhet i ditur nga Magnus Lund Nielsen dhe Eddy Wax, sipas raportimit të “Rapporteur”.
Zyrtarët e lartë të BE-së po shqyrtojnë mundësinë e rritjes së nivelit të përfshirjes së vendeve kandidate gjatë fazës përfundimtare të procesit të anëtarësimit, bazuar në dokumente draft të siguruara nga “Rapporteur”.
Ideja do t’u mundësonte vendeve kandidate një përfshirje më të madhe pasi të kenë nënshkruar traktatin e anëtarësimit, por përpara përfundimit të procesit të ratifikimit kombëtar nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së. Ky proces mund të zgjasë me vite.
“Tani, me ndryshimin e klimës politike në Evropë, është krejtësisht e arsyeshme të pritet që kjo periudhë të jetë më e gjatë”, tha Steven Blockmans, zëvendësdrejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë në Tallinn.
“I gjithë ideja është që kjo periudhë të zgjatet, pasi në raundet e mëparshme të zgjerimit ajo ishte mjaft e kufizuar”, shtoi ai.
Dokumentet sugjerojnë se komisioneri i ri do të mund të merrte pjesë në mbledhjet e Kolegjit të Komisionerëve dhe të kontribuonte në hartimin e legjislacionit të BE-së, një e drejtë që deri tani është rezervuar për zyrtarët e vendeve anëtare.
“Komisioni konsideron se është e përshtatshme të shqyrtohet nëse një shtet në proces anëtarësimi mund të caktojë gjithashtu një komisioner gjatë kësaj periudhe”, thuhet në një dokument të brendshëm të Komisionit.
“Një komisioner i tillë mund të marrë pjesë në punën e Kolegjit për çështjet përkatëse, duke ruajtur plotësisht autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të Kolegjit”, thuhet më tej në dokument.
Nëse një komisioner do të merrte detyrën në ndërtesën “Berlaymont” përpara anëtarësimit formal të vendit të tij në BE, kjo do të përbënte një zhvillim historik.
Ashtu si në raundet e mëparshme të zgjerimit, pasi një vend kandidat të ketë nënshkruar traktatin e anëtarësimit, ai mund të dërgojë gjithashtu vëzhgues në Parlamentin Evropian.
Komisioni Evropian po shqyrton edhe mundësinë e përfshirjes së vendeve kandidate në institucionet e BE-së në një fazë më të hershme, pasi negociatat e anëtarësimit të kenë përfunduar zyrtarisht.
Në këtë fazë, vendet mund të dërgojnë vëzhgues – potencialisht edhe drejtuesit e tyre – në Këshillin Evropian, institucioni më i lartë politik vendimmarrës i BE-së.
Përshpejtimi i integrimit gradual
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nisi dje një tur në Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ndërsa Komisioni po përgatit një ofertë më të gjerë për t’i afruar vendet që synojnë anëtarësimin me BE-në përpara anëtarësimit të plotë.
Komisioni pritet t’u ofrojë vendeve kandidate integrim gradualisht më të thellë në tregun e përbashkët, ndërsa ato zbatojnë reformat e brendshme të kërkuara për anëtarësim.
Vendet kandidate do të përfshiheshin gradualisht në një sërë programesh dhe skemash të BE-së, përfshirë Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), programin kërkimor “Horizon”, sistemin e tregtimit të emetimeve, shërbimet publike digjitale, nismat për sigurinë kibernetike dhe IPCEI-t, projektet e mbështetura nga BE-ja që synojnë të nxisin investime të mëdha strategjike në fusha si teknologjia dhe energjia.
“Siguria dhe mbrojtja duhet të jenë ndër prioritetet e para për integrimin gradual më të thellë”, thuhet në një dokument të Komisionit Evropian.