AKTUALITET, 18 Tetor 2020, 17:14

Shifrat alarmante të Covid në Shqipëri, 1658 raste dhe 32 viktima vetëm në gjashtë ditë

Shifrat alarmante të Covid në Shqipëri, 1658 raste dhe 32 viktima

Shifrat në rritje të rasteve me koronavirus në vend, gjatë kësaj jave janë nga më të lartat e shënuara ndonjëherë që prej fillimit të epidemisë.

Kjo për faktin se periudha vjeshtë-dimër, sipas ekspertëve të shëndetit, do të sillte rritje të numrit të infeksioneve, por edhe sepse numri i testimeve është rritur.

Nga raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë, vihet re se kjo javë ka shënuar shifrat më të larta, si të infeksioneve, po ashtu edhe të viktimave.

Kështu, që prej së hënës deri sot, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për 1658 raste me Sars-Cov-2.

Tepër shqetësues shihet të jetë edhe numri i viktimave, i cili që prej së hënës, vijon të jetë në të njëjtat shifra duke regjistruar 32 viktima në total.

Për sa i përket numrit të të shtruarve në dy spitalet Covid, numri i tyre vijon të mbetet në shifrat e 255 personave, ndërsa numri i të intubuarve çdo ditë pothuaj regjistron 5 raste.

Sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të shëruarve në javën e fundit, është rritur duke regjistruar 521 persona në total.

Duke patur këto shifra në rritje të koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë vijon të bëjë apel për ruajtjen e distancës dhe higjienës, ndërsa me akt normativ ka bërë të detyrueshme, mbajtjen e maskës edhe në ambiente publike.