AKTUALITET, 29 Nëntor 2017, 10:36

Shërbimet meteorologjike; Priten përmbytje, këto janë qytetet më të rrezikuara

Shërbimet meteorologjike; Priten përmbytje, këto janë

Sipas Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), por edhe nga shërbimet meteorologjike që bashkëpunojnë me Emergjencat Civile, informojnë paraprakisht se moti në të gjithë territorin e vendit gjatë datës 30 Nëntor dhe 4 Dhjetor 2017, do jetë drejt përkeqësimit dhe priten reshje shiu me intesitet mesatar deri dhe me intesitet të lartë, të cilat mund të krijojnë mundësinë e përmbytjeve.

Përgjatë këtyre ditëve priten reshje  intensive, pothuajse në të gjithë territorin, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa.

Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë.

Nga llogaritjet paraprake këto reshje priten të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në qytetet kryesore (Tiranë, Lezhë, Durrës, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër).

Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Ka mundësi të lartë për përmbytje në basenet e  lumenjve Vjosa dhe Seman.

Gjithashtu edhe lumi Shkumbin mund të shfaqë përmbytje përgjatë fundit të ditës së premte.

Efektet e rëndësishme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier parashikohet se mund të ndodhin në pjesën e parë të ditës së Shtunë, 2 Dhjetor 2017.

Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet (Gjirokastër, Berat, Elbasan) përmbytjet  mund të ndodhin përgjatë ditës së Premte, 1 Dhjetor 2017.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile udhëzon në mënyrë të veçantë të gjithë Prefektët e qarqeve, drejtuesit e bashkive, drejtuesit e institucioneve qendrore rajonale dhe vendore, për marrjen e masave urgjente për sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.