AKTUALITET, 31 Maj 2021, 13:11

Shehaj me demokratët e Sarandës: Nëse humbëm vetëm sepse Rama bleu masivisht, s’kemi pse të futemi në Parlament! Duhet të kishim bërë…

Shehaj me demokratët e Sarandës: Nëse humbëm vetëm


Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, zhvilloi në qytetin e Sarandës takimin me demokratët për garën së 13 qershorit.

Në fjalën e mbajtur Shehaj u shpreh se anëtarësia duhet të vendosë për lidershipin e partisë, duke votuar kë do, dhe jo duke u pyetur kë nuk do.

Ai theksoi edhe një herë se nëse mendohet se zgjedhjet u humbën vetëm sepse Rama bleu votat masivisht atë herë PD s’ka nevojë të bëjë asgjë brenda vetes dhe as të hyjë në Parlamentm por të mbushë sheshet dhe t’u bëjmë thirrje njerëzve o burra të rrëzojmë Ramën me dhunë.

“Ashtu siç do të kërkoj hapjen e listave parlamentare do të kërkoj dhe hapjen 100 për qind të listave brenda Partisë Demokratike”, tha Shehaj, duke u shprehur se garë duhet të ketë edhe brenda Kryesisë. Shehaj solli gjithashtu në vëmendje se “Me qindra herë Lulzim Basha u ka thënë që do e rrëzojmë Edi Ramën me protesta apo herë tjetër me bojkot dhe nuk ia doli”.

“Unë do kisha dashur që pas zgjedhjeve të 25 prillit të mos futeshim direkt në garë menjëherë, po të flisnim njëherë të kuptonim çfarë mund të kishim bërë më mirë. Sepse duam s’duam duhet ta shohim të vërtetën në sy. Nuk mund të vazhdojmë duke gënyer veten. Fatkeqësisht zgjedhjet e 25 prillit i humbëm, nuk fituam dot, nuk vajtëm dot në pushtet. Qëndrimi i lidershipit që ne fituam, po u vodhën zgjedhjet… Sepse  ka patur blerje masive të votës, që është e vërtetë në fakt. Dhe këto duhen hetuar dhe dënuar nga drejtësia. Por ne këtë rezultat nuk e ndryshojmë dot. E para, dhe e dyta ne mund të kishim bërë më shumë dhe duhet të kishim bërë më shumë. Të jemi të qartë nëse ne mendojmë që e vetmja arsye pse humbëm zgjedhjet është sepse Rama bleu masivisht votat, atëherë s’kemi nevojë të bëjmë asgjë brenda vetes dhe s’kemi pse të futemi në parlament. Po ne duhet të mbushim sheshet dhe duhet t’u bëjmë thirrje njerëzve o burra të rrëzojmë Ramën me dhunë. S’mund të futemi në zgjedhjet e ardhshme nëse jemi të bindur se arsyeja e vetme që humbëm është se Rama bleu votat në mënyrë masive. Por, unë mendoj se ne duhet të kishim bërë më shumë që të fitonim zgjedhjet. Është e lehtë për lidershipin që të thotë nuk humbëm se në fakt jeta e përditshme e pjesës më të madhe që qëndron lart në Partinë Demokratike nuk humbet kushedi se çfarë. Ata që e vuajnë humbjen në jetën e përditshme janë demokratët e thjeshtë, janë demokratët e thjeshtë që mbeten pa punë, pa shpresë, pa mundësi dhe do të vuaknë varfërinë për shkak të qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës dhe e vetmja mundësi që kanë është të lënë Shqipërinë dhe të ikin jashtë”- u shpreh kandidati për kryetar i PD-së.

Ai vuri theksin tek platforma e tij për ndryshimin rrënjësor të partisë duke e deleguar pushtetin e vendimarrjen në duart e anëtarësisë.