TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën pasi reshje rekord goditën Japoninë lindore dhe lanë mijëra njerëz të bllokuar në aeroportin Narita të Tokios. Reshjet, të cilat autoritetet i kanë përshkruar si “të paprecedenta”, ndërprenë energjinë elektrike për më shumë se 20,000 familje në prefekturën Chiba.
Alarmi u ul sot në nivelin e katërt nga i pesti që ishte më parë, por autoritetet vazhdojnë të paralajmërojnë për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve. Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se reshjet u shkaktuan nga masat e ngrohta dhe të lagështa që depërtuan në pjesën lindore të vendit dhe u përplasën me ajrin e ftohtë në lartësi, duke krijuar kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Reshjet pritet të vazhdojnë të premten vonë. “Ky ishte një fenomen jashtëzakonisht i pazakontë, edhe sipas standardeve historike të motit në Japoni”, u tha gazetarëve të premten në mëngjes guvernatori i Chiba-s, Toshihito Kumagai. “Kam përballuar shumë fatkeqësi në të kaluarën, por nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë.”. Chiba, e cila ndodhet pranë Tokios, ka regjistruar më shumë se 100 mm reshje në orë që nga pasditja e së enjtes, thanë autoritetet. Kjo është rreth tri herë më shumë se sasia mesatare e reshjeve në muajin gusht dhe niveli më i lartë i reshjeve i regjistruar ndonjëherë në vend.
Mes viktimave që humbën jetën ishte një grua që humbi jetën brenda makinës së saj, e cila ishte zhytur në ujë në një rrugë të përmbytur, thanë autoritetet. Dy persona të tjerë u rrëzuan në rrugë dhe më pas vdiqën.
Disa shërbime hekurudhore vijojnë të jenë të pezulluara, ndërsa disa nga autostradat kryesore janë gjithashtu të mbyllura. Më shumë se 100,000 familjeve iu kërkua të evakuoheshin të enjten, pasi reshjet shkaktuan rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Në fillim të kësaj jave, Japonia, Filipinet dhe Kina u goditën nga stuhi të njëpasnjëshme, Dolphin, Chan-Hom dhe Peilou, të cilat përshkuan rajonin në të njëjtën kohë. Dolphin solli reshje të dendura në ishullin japonez të Okinawa-s, duke ndërprerë energjinë elektrike në dhjetëra mijëra ndërtesa, rrëzuar pemë dhe anuluar fluturime. Gjatë fundjavës, autoritetet kineze evakuuan më shumë se një milion njerëz nga banesat e tyre, ndërsa Dolphin, tajfuni më i fuqishëm që ka goditur Kinën deri më tani këtë vit, preku pjesën lindore të vendit.