AKTUALITET, 13 Qershor 2018, 12:48

Rama e përsërit edhe njëherë: Tiranë-Durrës do bëhet me pagesë!

Rama e përsërit edhe njëherë: Tiranë-Durrës do

Eshtë e dyta herë brenda 24 orëve që kryeministri Edi Rama njofton se autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë. Duke qenë se për taksën e Rrugës së Kombit në Kukës, ia la fajin fushatës së komunikimit me banorët, Rama po e përsërit disa herë paralajmërimin se për të udhëtuar në autostradë, qeveria do të vendosë taksë.

“Rrugët Kombëtare do të jenë shumë më të mirëmbajtura në vijimësi. Por rruga Tiranë – Durrës nuk është një rrugë që thjeshtë meriton mirëmbajtje, është një rrugë që ka tanimë domosdoshmërinë e një rindërtimi dhe zgjerimi. Për këtë po bëjmë një studim që përfundon rreth mesit të Korrikut, ku duam të rivlerësojmë rindërtimin dhe zgjerimin për të rritur shpejtësinë e kontaktit mes Durrësit dhe Tiranës dhe sigurinë e lëvizjes në aksin ekzistues, me pagesë, dhe ndërtimin e më pas shfrytëzimin pa pagesë të një tjetër aksi shumë të rëndësishëm dhe të degraduar në kaq shuam vite, Tiranë-Ndroq-Plepa”, tha Rama gjatë prezantimit të projekteve të qeverisë për Qarkun e Durrësit.

Vendosja e menjëhershme e taksës në rrugën e Kombit provokoi një protestë të dhunshme të qytetarëve kuksianë, që përfituan uljen e tarifës për ta. Mbetet për t’u parë si do të reagojnë banorët pranë pikës së pagesës që do të vendoset në autostradë. Si për taksën në Rrugën e Kombit, ashtu dhe për taksën në autostradën Tiranë-Durrës nuk u fol asnjëherë gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2017.