TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në mediat dashamirëse me qeverinë, por edhe në ato opozitare me të, po aludohet dita ditës, se kryeministri Edi Rama do të shkarkojë disa ministra, për ti zëvendësuar ata me rilindas të rinj. Madje, ka nga ata syresh që pretendojnë se kryeministri do të ndryshojë 80% të kabinetit.
Por për çfarë mund t’i shërbejnë Edi Ramës këto impulse të reja? Për të kuptuar se si mund ta ndihmojnë qeverisjen e Edi Ramës, rilindasit e rinj, duhet të kthejmë kokën pas tek mënyra se si ka qeverisur Edi Rama.
Edi Rama, në qeverisjen e tij 5 vjeçare, sëbashku me ministrat që nuk po japin më impulse, ka dhënë koncesione monstruoze qindra milionëshë, ka rrëmbyer pronën publike, për ta ndarë atë me oligarkët- siç tregon rasti i fundit me gllabërimin e Teatrit Kombëtar- , ka uzuarpuar të gjitha pushtetet, - sic tregon kontrolli total mbi drejtësinë me të ashtëquajturën reformë në drejtësi.
Në këtë panoramë kaq dramatike, Edi Rama duhet të ishte i kënaqur me performancën e ministrave të tij, sepse ata e kanë realizuar më së miri tablonë që ai ka porositur. Atëherë për cfarë duhen impulset e reja?
Ekzistojnë disa hipoteza lidhur me nevojën e Ramës për të rifreskuar kabinetin.
Së pari, është e mundur që disa nga ministrat aktualë, të jenë kandidatët e Ramës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Pra këtu kemi të bëjmë thjesht me lëvizje taktike, që nuk kanë lidhje me “impulset e reja”.
Versioni më i besueshëm i “nevojës për impulse të reja”, nuk lidhet aspak me qeverisjen në vetëvete, sepse ajo është shembëlltyra e Edi Ramës, i cili i ka marrë vendimet dhe e ka çuar vendin me vetëdije të plotë në gjendjen e përshkruar pak më lartë. Përpjekja e Ramës për të mbjellë në opinionin publik, idenë se ai po punon për vendin, por paska disa ministra të pabindur dhe të paaftë që e pengojnë, ngjan sigurisht me operacionet e shumta të PR-it, të kryeministrit.
Nëse kabineti i rilindjes, do të pësojë ndryshime, Edi Rama thjesht do të bëjë kurban disa “koka” të mjera që i kanë shërbyer verbërisht, për ti zëvendësuar me disa “koka” po aq të mjera që do t’i shërbejnë sërish verbërisht. E vetmja arritje e kryeministrit me këtë rifreskim, mund të jetë përmirësimi i perceptimit popullor për qeverinë, gjë që ndodh sa herë ka “ndryshime të mëdha”, pra një nga fasadat e shumta të Edi Ramës.
Një tjetër version po aq interesant, është edhe fakti se Rama i lejon thashethemet të shpërndahen për një “apokalips” në qeveri, sepse ai e shijon situatën e nderë që krijohet mes kabinetit. Ministrat që përgjojnë se kush qëndron e kush largohet, mbledhjet e rëndësishmë, ku lideri do të rreshtojë shërbëtorët, që pastaj të zgjedhë mes tyre, janë të njohura në karakterin mazokist të kryeministrit.
Mes gjithë dilemave të mëdha që janë ngritur, një gjë është e sigurtë, Edi Ramës do të përpiqet t’i japë një dozë make-upi qeverisë së tij, këtë shtator, por ky make up nuk do të mundë të maskojë qelbjen dhe degradimin e Rilindjes, sepse tashmë koha punon kundër kryeministrit. Në plot pesë vite, ai e ka shpalosur çfarë di dhe mundet të bëjë.
Nga ana tjetër, ekziston një version, i bashkimit të madh mes mazhorancës dhe opozitës, “për të mirën e vendit”. Ky ndoshta do të ishte skenari i vetëm që mund të ndihmojë Edi Ramën të zgjasë ditët e pushtetit të tij, sepse do të godiste në mënyrë të pakthyeshme opozitën, e cila edhe sot, pa u bashkuar me “armikun”, gjendet në kuota shumë të ulëta.
/TPZ.AL/