AKTUALITET, 18 Shtator 2020, 13:46

Ngërçi në Këshillin Politik, Vasili: Ne po ruajmë marrëveshjen e 5 qershorit dhe 14 janarit nga bojkoti dhe imponimi i PS

Ngërçi në Këshillin Politik, Vasili: Ne po ruajmë


Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha sot jashtë dyerve të Pallatit të Kongreseve se Partia Socialiste po minon progresin e bërë deri më tani në Këshillin Politik.

Pas braktisjes nga opozita të Këshillit Politik, Vasili tha se Opozita po ruan marrëveshjen e 14 janarit dhe 5 qershorit nga PS.

“Kërkesa parimore e opozitës së bashkuar ndërton dialog dhe konsensus. Sot jemi para faktit që PS të mos bojkotoje në mënyrë të njëanshme dhe të shkatërrojë konsensusin e 14 janarit dhe 5 qershorit.

Ky është një shans i madh për PS, jo për opozitën e bashkuar që nuk ja ndal njeri mundësitë.

Opozita në këtë këshill, sikundër edhe me 5-qershorin, sërish po bën të pamundurën për të ruajtur Këshillin nga bojkoti i PS, dhe imponimi i PS. Ky është thelbi i problemit”,-tha Vasili.

Opozita e bashkuar ka bojkotuar sot mbledhjen e Këshillit Politik, pas depozitimit të draftit të ri të Partisë Socialiste ku pranohet pjesërisht kërkesa e PD e LSI për hapjen 100% të listave, por kushtëzohet hapja me votimin preferencial.

PS në një draft të ri, kërkon renditje preferenciale të kandidatëve nga votuesit në lista, e po ashtu edhe pragun 3% për koalicionet dhe partitë.

PD e quan këtë ndërhyrje të PS, një ndryshim të rregullave të lojës, duke kërkuar ekspertizën e OSBE/ODIHR. PS thotë se OSBE jep mendime për produkte konkrete, ndërsa PD e LSI u larguan nga mbledhja.