TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Vendet anëtare të NATO-s do të shtojnë praninë e mjeteve të vëzhgimit dhe të ekipeve të specializuara në rajonin e Detit të Zi, duke dërguar më shumë avionë për vëzhgim detar, sisteme radarësh, dronë dhe ekipe për hetimin e shpërthimeve. Masa vjen si përgjigje ndaj shtimit të sulmeve ruse kundër rrugëve detare që përdor Ukraina për eksportet e saj.
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i shtabit ushtarak të NATO-s në Mons të Belgjikës, Martin L. O’Donnell, i cili njoftoi se në rajon do të dërgohen edhe më shumë specialistë të inteligjencës ushtarake.
Sipas tij, synimi është përmirësimi i monitorimit të situatës përmes përdorimit më të gjerë të pajisjeve të vëzhgimit dhe shkëmbimit më të madh të informacionit mes vendeve anëtare të Aleancës.
Ndërkohë, sipas raportimeve nga Sofja, një avion amerikan zbulimi i Marinës, i tipit “P-8 Poseidon”, ka nisur operacionet përgjatë bregdetit bullgar të Detit të Zi.
Edhe Rumania ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Europian dhe NATO-ja pas disa incidenteve të regjistruara javën e kaluar, të cilat kanë shtuar shqetësimet për sigurinë detare në rajon.
Shtohen sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi
Sulmet me dronë ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi janë shtuar kohët e fundit, duke prekur edhe mjete lundruese që transportonin mallra pranë brigjeve të Bullgarisë dhe Rumanisë, të dyja vende anëtare të NATO-s.
Javën e kaluar, anija ukrainase “Chelsea 3” u godit nga tre dronë, rreth 33 kilometra në lindje të qytetit bregdetar bullgar të Byalas.
Në një incident tjetër, një anije u godit dhe u fundos rreth 31 kilometra larg bregdetit, pranë Krapetsit, afër kufirit me Rumaninë.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, një anije tregtare turke, e cila transportonte grurë, u fundos pranë qytetit rumun Sfântu Gheorghe, në bregdetin e Detit të Zi. Si pasojë e incidentit, humbën jetën dy anëtarë të ekuipazhit.
Sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, anija u godit nga dronë rusë.
Incidentet e njëpasnjëshme kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe për rrezikun që sulmet të prekin gjithnjë e më shumë anije tregtare në ujërat pranë vendeve anëtare të NATO-s.
BE-ja paralajmëron për rrezikun e një krize të re ushqimore
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Kaja Kallas, paralajmëroi së fundmi se përshkallëzimi i sulmeve mund të shkaktojë një krizë të re globale ushqimore.
Kallas e cilësoi Ukrainën si një nga eksportuesit më të rëndësishëm të produkteve bujqësore në botë, duke theksuar se veprimet e Rusisë po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë furnizimin me ushqime të popullsisë në mbarë botën.
Ajo theksoi se gjashtë sulme, që dyshohet se janë kryer nga dronë rusë brenda një periudhe prej 10 ditësh, përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm të situatës.
Përforcimi i vëzhgimit nga NATO-ja dhe shtimi i shkëmbimit të informacionit mes vendeve anëtare synojnë të përmirësojnë identifikimin e kërcënimeve dhe monitorimin e zhvillimeve në Detin e Zi, në një kohë kur sulmet ndaj transportit detar po rrisin shqetësimet për sigurinë rajonale dhe furnizimin global me produkte ushqimore.