SPORT, 19 Mars 2019, 12:13

Mbretëria e Bashkuar pa alternativë dhe pa dalje

Mbretëria e Bashkuar pa alternativë dhe pa dalje

Përpjekja e zgjatur e Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga Bashkimi Europian ka ngjallur dy iluzione me të cilat bota ka jetuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë: sovraniteti kombëtar dhe integrimi ekonomik, pikat fundore binare të historisë, sipas esesë së vitit 1989 të Francis Fukuyama.

Juridikisht, bota përbëhet nga 191 shtete sovrane, të cilat lirisht hyjnë në traktate, marrëveshje dhe shoqata për të rregulluar marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin. Britania e Madhe është një prej tyre. Dështimi i saj për të bërë një dalje domethënëse nga BE-ja do të ishte hera e parë në historinë moderne që një shtet sovran i madh u detyrua të qëndronte në një bashkim vullnetar sepse, ndonëse ligjërisht i lirë të largohej nga ai, kjo gjë do t’i kushtonte shtrenjtë.

Imponimi duhet të kuptohet si një vazhdimësi e presionit, duke filluar nga përdorimi i forcës në njërin skaj deri te sanksionet e lehta ekonomike dhe kulturore në anën tjetër, me sovranitetin e një vendi të matur nga dobësia e tij ndaj formave të ndryshme të detyrimit të cilit mund t’i nënshtrohet.

Bazuar në këtë kriter, shumë pak nga 191 shtetet e botës janë vërtet sovrane, në kuptimin që vetëm forca ushtarake mund t’i detyrojë ata të ndryshojnë politikat dhe sistemet e qeverisjes: sigurisht Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia dhe ndoshta Japonia dhe India. Britania ka zbuluar me dhimbje kufijtë e sovranitetit të saj.

Rezultati i zgjedhjes së thjeshtë që iu dha votuesve në Mbretërinë e Bashkuar në referendumin e Brexit të qershorit 2016 është pothuajse i pamundur për t’u vënë në zbatim. Pengesa kryesore nuk janë ndërlikimet e negocimit të marrëveshjeve të reja, por vendimi i përgjegjësve të jetës politike të Britanisë se kostot e një largimi janë tepër të mëdha.

Të gjitha përpjekjet e kryeministres Theresa May gjatë muajve të fundit kanë qenë të përkushtuara ndaj respektimit të votës popullore për t’u larguar me fjalë, por jo me fakt. Kjo strategji mundësohet nga fakti se kurrë nuk ka qenë krejtësisht e qartë se nga çfarë po largohej nga Britania. BE-ja dhe regjimet e saj ekonomike i ngjajnë më shumë një kandili deti sesa një unioni politik dhe ekonomik.

Për klasën politike të Britanisë, prova e sovranitetit kombëtar nuk është aftësia për të dalë nga BE-ja. Është aftësia për t’u larguar me sa më pak përçarje është e mundur që bizesi të vazhdojë si zakonisht, pra, integrimin ekonomik të Mbretërisë së Bashkuar me vendet e BE-së. Por po ata që votuan për një shkëputje të theksuar të lidhjeve të Britanisë me BE-në?

Kjo më sjell në iluzionin e dytë: besimi i verbër në virtytin suprem të integrimit ekonomik përtej kufijve, me konkluzionin që kufijtë kombëtarë janë pengesa për integrimin më të përsosur të tregjeve. Nga ky këndvështrim, funksioni i vetëm i shtetit komb është të sigurojë që politika kombëtare është konform tregut, një pikëpamje që i sheh vendet thjesht si degë të qeverisjes.

Por, siç ka theksuar ekonomisti i Harvardit, Dani Rodrik, kjo pikëpamje e shteteve kombe si mjete të thjeshta për integrimin global shpërfill faktin se qeveritë moderne janë në përgjithësi përgjegjëse për popullin e tyre për vendimet e tyre. Mund të jetë që integrimi ekonomik sjell përfitime për të gjithë për një kohë të gjatë; por në një afat të shkurtër, ai është mjaft shkatërrues ekonomikisht dhe në aspektin kulturor. Prandaj është ngritur një konflikt midis integrimit ekonomik dhe politikave demokratike.

Arkitektët e BE-së i kanë parë shtetet anëtare kryesisht si instrumente juridike për krijimin e katër lirive të tregut të vetëm: lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe punës. Por qeveritë në BE janë përgjegjëse për votuesit e tyre. Ato nuk mund t’i shpërfillin kostot e integrimit ekonomik siç qenë në gjendje të bënin paraardhësit e tyre të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të pajisur me elektorate të vogla dhe me perandori të mëdha.

Të gjithë europianët e matur kanë qenë prej kohësh të vetëdijshëm për problemin e deficitit demokratik të BE-së, por shumë pak është bërë për këtë. Ndryshe nga ekonomitë, politikat nuk kanë emigruar dukshëm përtej kufijve kombëtarë. Pra, logjikisht, europianët e bindur si ish-ministri grek i financave Yanis Varoufakis kanë bërë thirrje për një Shtetet e Bashkuara të Europës. Vetëm një parlament i vërtetë me një president të zgjedhur që përgjigjet për çdo gjë mund ta bëjë tregun e vetëm demokratikisht të ligjshëm.

Por një Shtetet e Bashkuara të Europës është përtej politikave praktike. Nuk mund ta bëjmë të ligjshme një demokraci thjesht duke shkruar një kushtetutë të re. Votuesit duhet të përvetësojnë një ndjenjë posedimi mbi politikën e tyre dhe kjo ndjenjë pronësie dhe detyrimi rritet në mënyrë organike, jo normative.

Pra, pavarësisht të gjitha informacioneve shtesë që ne kemi tani mbi kostot dhe komplikimet e daljes nga BE-ja, debati mbi Brexit nuk ka përparuar që nga vera e vitit 2016. Gazetari britanik Ambrose Evans-Pritchard, një pro largimit nga BE-ja, shkroi në Daily Telegraph më 13 qershor 2016 për “zgjedhjen elementare të Mbretërisë së Bashkuar: të rivendosim vetëqeverisjen e plotë të këtij kombi, ose të vazhdojmë të jetojmë nën një regjim më të lartë mbikombëtar, të qeverisur nga Këshilli Europian, që ne nuk e zgjedhim në asnjë kuptim”.

Rodrik u pajtua se “rregullat e BE-së të nevojshme për të mbështetur një treg të vetëm europian janë shtrirë dukshëm përtej asaj që mund të mbështetet nga legjitimiteti demokratik”, por mbeti optimist se një qeveri e vetme europiane mund të evoluojë për të mbështetur tregun e vetëm.

Çështja është nëse Mbretëria e Bashkuar mund të zgjedhë më vetë-qeverisjen kuptimplotë. Ajo duket se ka ngecur në një rrjet nga i cili nuk del dot. Nëse kjo situatë ndihet më gjerë në të gjithë publikun votues të BE-së, kjo do të sjellë fundin e demokracisë liberale europiane. Dhe kthimi i demonëve – rritja e mëtejshme e demokracisë iliberale, në mos edhe më keq – nuk mund të jetë shumë larg./BIRN