TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Policia e Lezhës ka nisur hetim disiplinor ndaj efektivëve, të cilët paditën kryebashkiakun e Lezhës Pjerin Ndreu se i pengoi që të ushtronin detyrën pasi në një ambient biznesi në Shëngjin vendoste muzikë me zë të lartë jashtë orarit të lejuar.
Përmes një shkrese, efektivët e Policisë që kanë qenë në atë patrullë janë njoftuar se janë vendosur nën akuzën e dështimit të ushtrimit të detyrës së tyre.
“Më datë 24.06.2021, rreth orës 23: 13 minuta patrulla e Policisë e turnit të tretë e Policisë Shëngjin, e përbërë nga punonjësit e Policisë, në Shëngjin pranë hotelit, ka konstatuar se gjenerohet muzikë me volum të lartë, gjë kjo që bie ndesh me aktin normativ nr/ 23 datë 26.05.2021.
Për këtë konstatim ky shërbim ka njoftuar me telefon eprorin e drejtpërdrejtë, duke e sqaruar atë, se në këtë lokal është një aktivitet i Bashkisë Lezhë ku është i pranishëm dhe kryetari i Bashkisë Lezhë dhe disa ambasadorë.
Eprori i drejtpërdrejtë i tyre iu ka komunikuar nëpërmjet telefonit se duke qenë përpara faktit ku në atë ambient zhvillon një aktivitet kryetari i Bashkisë Lezhë, hartoni procesverbalin mbi kundërvajtjen administrative të evidentuar në moment sipas ligjit dhe lëvizni prej aty.
Jo vetëm që keni kundërshtuar urdhrin e dhënë në telefon nga eprori i drejtpërdrejtë, por keni vazhduar të qëndroni në ambientet e lokalit duke insistuar që të ndërpritej aktiviteti që po zhvillohej nga kryetari i Bashkisë Lezhë duke komunikuar jashtë etike qytetare dhe policore.
Në rastin konkret ju jeni njëri nga punonjësit e Policisë që keni qenë prezent dhe keni dështuar në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara”, thuhet në shkresën e Policisë së Lezhës për efektivët.
Ndreu i përgjigjet padisë së policëve me akuza: Barkderra, kapërcejnë kompetencat
Rrugës institucionale që ndoqi patrulla e Policisë në Lezhë, duke paditur penalisht kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, ky i fundit iu përgjigj me akuza dhe ofendime në rrjetet sociale.
Pas publikimit në media të padisë së ngritur nga një patrullë ndaj kreut të Bashkisë së Lezhës, Ndreu reagoi në rrjetet sociale duke akuzuar punonjësit e Policisë se ishin nën efektin e alkoolit dhe tejkaluan kompetencat.
Ndërkohë, teksa pranon se ishte darkuar së bashku me disa kryetarë të komunave të Kosovës tej orarit 23:00 në restorantin ku shkoi Policia, Ndreu thotë se ishte darkë zyrtare pune dhe se punonjësit e Policisë nuk duhet të kishin ushtruar dhunë, por do të duhej të vendosnin gjobën që parashikon ligji.
PJERIN NDREU
“Kallëzim penal nga policë barkderra, që kapërcejnë kompetencat dhe kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin?!
Që ndërhyjnë në një darkë zyrtare me prezencën e 15 kryetarëve të komunave të Kosovës, me veprime të dhunshme, kur mund te shkruanin gjobën sipas ligjit që është detyra që duhet të bënin në këto raste!
Më e keqja është se ndërsa kryenin veprime të dhunshme në një darkë zyrtare, shumica e lokaleve të Shëngjinit ishin hapur, apo rrinë hapur çdo natë deri në orën 02:00, gjë që vërtetohet me hapjen e kamerave lehtësisht.
Pretendimi që janë fyer është mënyrë për të shmangur tejkalimin e kompetencave. Veprimet e dhunshme në një darkë zyrtare dhe shpërdorimin e detyrës duke mos vepruar në lokalet e tjera që ishin hapur pothuajse të gjitha.
Duke kërkuar ndjesë për tejkalimin e orarit me 20 minuta, theksoj se gjoba do ishte korrekte, por jo veprimet e dhunshme. Zhargoni që vesh media me pretendime policësh me bark të fryrë nga birra, është i tepruar.
Si drejtues i pushtetit vendore e kam për detyrë të mbaj qëndrim kur Policia tejkalon masën dhe kryen veprime të dhunshme kur nuk kishte asnjë kontingjent kriminal në atë darkë. Por, pikërisht kjo është problematike, se ndërsa kontingjentet kriminale bëjnë çfarë të duan dhe nuk i prek njeri, një shkelje që meriton gjobë për mua, behet gurgule!”.
Në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe Kryeministri Rama. Gjatë një konference për mediat, kreu i qeverisë tha se gjithsecili mban përgjegjësi para ligjit nëse ofendon punonjësin e Policisë.
Megjithatë, sipas Kryeministrit, ky është një rast i izoluar që ndonëse mund të jetë sensitiv, por është midis një kryetari të pushtetit vendor dhe disa punonjësve të Policisë dhe çështja e tyre zgjidhet. Ndërkohë, Kryeministri konsideron shqetësuese akuzat që i hidhen Policisë për çështjen e rendit në vend.
“Së pari nuk e kuptoj lidhjen e zaptimit të plazhit me muzikën.
Kur vjen puna për ofendimin e Policisë, askush nuk ka të drejtë dhe mund t’ia hedhë lehtë pa u përballur me ligjin. Policisë i bëhet dhe një ofendim tjetër i vazhdueshëm kur i hidhet faji për çdo gjë që ndodh. Ky është një ofendim shumë më i madh se sa ofendimi individual i një personi ndaj disa oficerëve.
Është në shkelje të ligjit dhe ka proces. Unë do shqetësohesha nëse strukturat përkatëse nuk do ndiqnin rrugët ligjore. Nuk ka tolerim për askënd, nuk ka tolerim që një zyrtar i lartë ofendon një patrullë ose një punonjës Policie”, tha kreu i qeverisë.
Duke iu referuar ngjarjeve të fundit të regjistruara në bregdet, Rama tha se janë të rënda, por nuk e bëjnë Shqipërinë një vend që turistët do të duan të largohen.
“Ofendimi i madh që i bëhet Policisë është mungesa e mbështetjes së përditshme dhe përmbytja e opinionit me gjysmë të vërteta. Nëse do të ishte kështu, atëherë SHBA-ja ku vriten me dhjetëra njerëz në ndonjë rast tragjik, në një moment do të duhej që Policia e SHBA-së dhe gjithë zinxhiri politik të çoheshin në gjyqin e fundmë popullor. Nuk ndodh kështu.
Unë dua ta përsëris, ne jemi të shqetësuar çdo ditë që puna të bëhet më mirë, por që të thuhet që një dy ose tre ngjarje fatkeqe na e bëkan Shqipërinë një vend që turistët të kthehen mbrapsht, është qesharake”, tha Rama.
PADIA
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, u kallëzua penalisht në Prokurori, nga tre efektivë të Policisë së Shtetit, me pretendimin se i ka penguar të ushtrojnë detyrën.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën turistike të Shëngjinit, jashtë ambienteve të një hoteli në vijën e parë të bregdetit. Punonjësit e Policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit, por kanë hasur në kundërshtinë e pronarit të subjektit.
Përballë rezistencës, në ndihmë të patrullës së Shëngjinit ka shkuar forca e posaçme “Shqiponja”, të cilët në debat e sipër kanë tentuar të shoqërojnë në Komisariat pronarin e hotelit, por referuar kallëzimit penal, në ato momente ka dalë nga lokali kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i penguar që të ushtrojnë detyrën, me pretendimin se ligjin e bënte ai.
“Kur ne po përpiqeshim për të shoqëruar në Komisariat V.Gj., ata na kanë mbajtur për krahu dhe na kanë shtyrë duke na penguar që ta shoqëronim. Meqenëse përballë nesh u fut kryetari i Bashkisë, i cili na tha se:
“Ligjet i bëj unë dhe i vendos unë…”, për të mos krijuar një situatë më të rëndë, ne jemi tërhequr duke njoftuar me radio sallën operative dhe eprorët tanë. Ata nuk ndërmorën asnjë veprim dhe na thanë në telefon: “Lëreni mos u merrni më, largohuni prej aty”, thuhet ndër të tjera në padinë e bërë nga tri efektivët.