AKTUALITET, 9 Gusht 2021, 10:58

“Kodi i kuq për njerëzimin”/ Publikohet raporti për ndryshimet e klimës! Sekretari i OKB: Mund ta shmangim katastrofën, s’ka kohë për justifikime. Ja pesë pikat kryesore

“Kodi i kuq për njerëzimin”/ Publikohet raporti për

Nga përmbytjet katastrofike në zjarre shkatërruese, vera e vitit 2021 ka sjellë kushte ekstreme të motit kudo në botë.

Kushte të tilla ekstreme dhe lidhja e tyre me ndryshimet klimaterike që po shkaktohen nga njeriun janë thjesht një nga pikat kryesore të një raporti të publikuar të hënën nga Paneli Ndërqeveritar i OKB -së për Ndryshimet Klimatike (IPCC).

I përgatitur nga më shumë se 230 shkencëtarë nga vende nga e gjithë bota, ky është raporti më i rëndësishëm i publikuar në vite nga komuniteti ndërkombëtar shkencor.

Raporti është një sintezë e punës nga mbi 14,000 citime kërkimore.

Në fakt bëhet fjalë për një enciklopedi të shkencës klimatike – një përmbledhje e konsensusit më të fundit shkencor mbi ndryshimet klimatike dhe atë që parashikon e ardhmja, përmes përdorimit të modeleve të sofistikuara të klimës dhe njohjes së kushteve të kaluara.

Ky raport sjell një përditësim sesi klima e Tokës dhe kuptimi ynë për të kanë ndryshuar që nga raporti i fundit i tillë në 2013.

“Raporti i sotëm është një kod i kuq për njerëzimin,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Nëse kombinojmë forcat tani, ne mund të shmangim katastrofën klimatike. Por, siç e bën të qartë raporti i sotëm, nuk ka kohë për vonesë dhe nuk ka vend për justifikime. Unë mbështetem tek drejtuesit e qeverisë dhe të gjithë aktorët për të siguruar që COP26 është i suksesshëm“, tha Guterres.

Publikimi i këtij raporti vjen më pak se tre muaj para samitit kryesor klimatik në Glasgow të njohur si COP26 .

Autorët e këtij raporti thonë gjithashtu se nuk përjashtohet mundësia e një rritje të niveleve të detit me dy metër deri në fund të shekullit.

Por ka një shpresë të re, thuhet më tej në raport, që shkurtimet e thella të emetimeve të gazrave serë mund të stabilizojnë rritjen e temperaturave.

Pikat kyçe të raportit të IPCC

-Temperatura globale e sipërfaqes së planetit ishte 1.09 °C më e lartë në dekadën mes 2011-2020 sesa mes 1850-1900.

-Pesë vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat që janë regjistruar që nga viti 1850

-Shkalla e fundit e rritjes së nivelit të detit është gati trefishuar në krahasim me 1901-1971

-Ndikimi njerëzor është “me shumë mundësi” (90%) shtytësi kryesor i shkrirjes globale të akullnajave që nga vitet 1990 dhe i uljes së nivelit të akullit në detin Arktik.

-“Është praktikisht e sigurt” se ekstremet e nxehta përfshirë valët e nxehtësisë janë bërë më të shpeshta dhe më intensive që nga vitet 1950, ndërsa ekstremet e ftohta janë bërë më pak të shpeshta dhe më pak të rënda.

Rritja e vazhdueshme e nivelit të detit është e pakthyeshme për shekuj të tërë.