BOTA, 31 August 2026, 15:47

Italia zgjat pezullimin e Shengenit për Spanjën, Madridi përgjigjet njësoj

Italia ka vendosur të zgjasë edhe për 15 ditë pezullimin e rregullave të Shengenit për udhëtarët që mbërrijnë nga Spanja, duke mbajtur kontrollet kufitare në portet dhe aeroportet italiane.

Masa, e cila hyri në fuqi fillimisht më 1 gusht, u ndërmor pas përkeqësimit të situatës së migracionit në Ceuta, enklavë spanjolle në Afrikën e Veriut. Zgjatja e re nis nga e hëna, 31 gusht.

Pas vendimit të Romës, edhe Madridi ka vendosur të zgjasë për 15 ditë kontrollet kufitare për pasagjerët që hyjnë në Spanjë nga Italia, në një masë të cilësuar si reciproke. Kontrollet nga pala spanjolle ishin vendosur fillimisht më 8 gusht dhe pritej të përfundonin më 7 shtator.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, tha se vendimi lidhet me faktin se problemet kritike në Ceuta vijojnë të mbeten.

Sipas tij, situata po monitorohet dhe Italia vlerëson përpjekjet e Spanjës dhe Bashkimit Evropian për normalizimin e situatës. “Shpresoj që kjo të jetë zgjatja e fundit”, tha Piantedosi, duke shtuar se Italia mbetet e hapur për bashkëpunim me Spanjën dhe institucionet evropiane.

Ndërkohë, situata në Ceuta vijon të jetë e tensionuar. Në orët e fundit janë raportuar përleshje mes emigrantëve në zonën e Loma Colmenar. Sipas burimeve policore, tensionet nisën pasi qindra persona me origjinë nga Magrebi, të cilët kishin ngritur kampe në rrugë, hynë në një qendër pritjeje. Policia ndërhyri me forca të shumta për të kontrolluar situatën.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka deklaruar ndërkohë se rreth situatës në Ceuta është përhapur informacion i rremë. Ai pretendoi se rrjete ruse dhe izraelite kanë shpërndarë dezinformim në lidhje me mundësinë e hyrjes në Ceuta përmes detit.

Sánchez e lidhi këtë fushatë me përpjekje të ekstremit të djathtë për të përdorur çështjen e migracionit për të krijuar përçarje në Spanjë dhe Evropë.