TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqiptarët në rrëfimin e Amerikës Latine!
Në Quito, në një mëngjes të kthjellët andin, unë dhe Blendi Fevziu po përfundonim një takim që nuk dukej si një bisedë e zakonshme, por si një orë leksioni të përqendruar mbi krimin global.
Përballë nesh, Alani, konsull nderi i Shqipërisë në Ekuador, kishte përpara një senduiç me salmon e avokado, të cilin e quante “më të mirin në botë”.
Me duart që shoqëronin fjalët e tij dhe me një qetësi që i ngjante një profesori në mes të ligjëratës, ai sillte në tryezën tonë jo vetëm kujtime, por një analizë të jashtëzakonshme historike dhe gjeopolitike.
Përballë meje dhe Blendit vazhdonte tregimin Alani, ai burrë i thinjur, me syze të holla dhe një gjestikulacion që i ngjante një profesori në mes të një konference të rëndësishme.
Në vendin ku po hanim mëngjes ai ishte prezantuar aty si konsull nderi i Shqipërisë, një lidhje e pazakontë mes një vendi ballkanik dhe një republike të trazuar të Amerikës Latine. Sot, në atë tryezë, ai nuk fliste për diplomaci, por për një temë që e digjte si qytetar dhe si historian.
Habia jonë ishte e natyrshme: si është e mundur që Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk e kishte kontaktuar kurrë këtë njeri, për të marrë informacion të saktë dhe të thelluar mbi një fenomen që prek edhe vetë vendin tonë? Në duart e tij ishin të gjitha fijet: historia e karteleve, ndryshimet e pushtetit në Amerikën Latine, mënyrat sesi portet e Ekuadorit u shndërruan në nyje të kokainës botërore.

Alan C. Cathey DAVALOS, konsull nderi i Shqipërisë në Ekuador
Alani nuk ishte vetëm rrëfimtar. Ai ishte një njohës i jashtëzakonshëm i historisë, me një kujtesë të saktë për data dhe fakte, dhe një analist i aftë për ta lidhur të shkuarën me të tashmen. Në fjalët e tij kishte ekuilibër mes përjetimit personal dhe leximit gjeopolitik.
Biseda mori kthesë të papritur kur ai kujtoi episodin e akuzave të Nicolás Maduro-s ndaj shqiptarëve, të përmendur si pjesë e një plani për atentat kundër tij. Ai nuk e tha me dramë, por me qetësi analitike, duke e shpjeguar si pjesë të logjikës politike të Amerikës Latine.
“S’kishte lidhje reale me shqiptarët”, tha ai, duke shtyrë pak pjatën me senduiçin që kishte lënë gjysmë. “Por këtu, në këtë kontinent, shqiptarët perceptohen si miq të Amerikës, si lojtarë të vegjël që gjithmonë mbajnë anën e saj. Dhe kur Amerika është armiku i përjetshëm i regjimeve si ai i Maduros, është shumë e lehtë t’i përdorësh shqiptarët si simbol të një komploti. Është një narrativë e gatshme për t’u konsumuar: Amerika do grusht shteti, shqiptarët janë vegla të saj”.
Ai buzëqeshi lehtë, si për të nënvizuar absurditetin e akuzës, dhe shtoi: “Në Amerikën Latine, faji shpesh projektohet tek të huajt, tek ata që përfaqësojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara. Për Venezuelën, shqiptarët ishin një mjet i thjeshtë retorik, një mënyrë për ta forcuar mitin e rrethimit dhe për ta mbajtur popullin në frikë”.
Në hartën e krimit botëror, linjat nuk janë vetëm kufij të vizatuar nga shtetet, por korridore të padukshme që lëvizin miliarda dollarë.
Në vitin 2022, sipas UNODC, bota prodhoi mbi 2 mijë e 300 tonë kokainë, një shifër rekord që tejkaloi çdo dekadë tjetër. Nga ky oqean pluhur i bardhë, më shumë se gjysma shkon në Amerikën e Veriut dhe Evropë, duke mbajtur gjallë një industri që vlen miliarda. Europol paralajmëroi vitin e kaluar se portet evropiane, sidomos Antwerp dhe Rotterdam, janë shndërruar në portat kryesore të trafikut, me ’Ndranghetan italiane që kontrollon mbi 80% të furnizimit.
Në këtë zinxhir global, një vend i vogël në Paqësor, i njohur dikur si “ishulli i paqes” mes Kolumbisë dhe Perusë, ka dalë në skenë si nyja më e re dhe më e rrezikshme: Ekuadori. Nga Guayaquil deri në Manta, nga portet e mbushura me banane e deri në rrugicat ku bandat shesin dozat për fëmijët, ky vend është bërë porta e kokainës drejt botës. Dhe me këtë transformim, ka ardhur edhe dhuna: në vitin 2023, Ekuadori arriti nivelin më të lartë të vrasjeve në rajon, mbi 40 për 100 mijë banorë, sipas NYT, duke kaluar edhe Kolumbinë e Venezuelën.
Rrëfimi I – Origjina e zinxhirit
“Gjithçka nisi më herët”, tha Alani, duke ngritur pak filxhanin e kafesë. “Kur kolumbianët u rrëzuan, mbetjet e tyre gjetën strehë tek guerilët.”
Në vitet ’90, ofensiva e shtetit kolumbian, me mbështetje amerikane, goditi kartelet e Medellín dhe Calit. Pablo Escobari ishte vrarë, drejtuesit kryesorë ishin arrestuar, por trafiku nuk u zhduk. Remanentët u lidhën me guerilët e FARC dhe ELN. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, këto grupe kishin humbur burimin e tyre të financimit dhe ideologjinë e tyre. Mbeti vetëm një monedhë që vlente: kokaina.
“FARC mori plantacionet, laboratorët dhe rrugët,” shpjegon ai. “Mexicanët morën tregun.” Në këtë moment, karteli i Sinaloas dhe më vonë Jalisco Nueva Generación u bënë ura me SHBA. Trafiku kalonte përmes Karaibeve, nga Haiti, Puerto Riko apo avionë të vegjël që fluturonin drejt Hondurasit e Meksikës. Ishte një ekuacion i thjeshtë: guerilë për prodhimin, kartelë për shpërndarjen, konsumatorë përfundimtarë në New York, Miami, Los Angeles.
Rrëfimi II – Ekuadori hap portat
Ekuadori nuk ishte në fillim në lojë. Por në vitin 2000, pas një krize të thellë ekonomike, vendi adoptoi dollarin amerikan si monedhë zyrtare. “Ky vendim solli stabilitet,” më tha Alani, “por edhe e bëri më të lehtë pastrimin e parave për kartelet.”
Në të njëjtën kohë, një marrëveshje me SHBA lejoi Forcat Ajrore Amerikane dhe DEA-n të përdornin bazën ajrore të Mantës në bregun e Manabit. Avionët AWACS patrullonin qiellin dhe ndërprisnin avionët e vegjël të ngarkuar me drogë nga Kolumbia. Për një dekadë, kjo bazë ishte një armë e fuqishme kundër trafikut.
Por kjo kontroll nuk do të zgjaste shumë.