TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nuk kam qenë ndonjëherë në burgun e Spaçit. Historitë e dhimbshme të lexuara, të dëgjuara, të forta dhe përtej imagjinatës njerëzore që ka prodhuar ai burg famëkeq më kanë mjaftuar (me të padrejtë) për të krijuar në mendjen time një imazh të një vendi të humbur mes maleve, ku drita e diellit hynte aq rrallë sa imazhet e para të të burgosurve të liruar nuk dallonin shumë nga ish-të dënuarit e kampeve naziste. Ndaj, debati i ditëve të fundit për tjetërsimin e burgut famëkeq të Spaçit më risolli edhe njëherë në kujtesë imazhet e ish-të dënuarve politikë të fillimviteve ’90.
Një prej tyre, për disa javë, menjëherë pas daljes nga burgu e strehuam në apartamentin tonë modest, një dhomë e kuzhinë. Si gjimnaziste kujtoj shumë pak biseda, por imazhin, qetësinë, ftohtësinë dhe mençurinë për të përcaktuar qartë se çfarë ishte në të vërtetë komunizmi dhe si transformohej, përçudnohej dhe vdiste moralisht, psikologjikisht dhe fizikisht njeriu në ato kohë, e kam të fiksuar mirë nga Hysen Shoshori. Ish-i dënuari politik, disidenti vetmitar që kaloi në kalvarin e burgjeve të diktaturës. Burgje, që sot po na “paketohen”me gëlqeren dhe bojërat e Rilindjes.
Aq rrëqethëse m’u rikthyen rrëfimet dhe leximet për këto kampe përqendrimi ku flitej shqip, teksa dje dëgjoja Fatos Lubonjën, në përpjekje për të mbrojtur atë pjesë të historisë së lënë në harresë, të keqtrajtuar dhe të keqpërdorur. Përshkrimi i Spaçit dhe njerëzores në atë burg në librin e tij “Jetë burgu” është sot përshkrimi më i mirë që i është bërë ferrit në tokë. Dhe dje, teksa ishte kthyer sërisht në Spaç kishte ende forcë, energji dhe durim të shpjegonte çdo detaj në formën më origjinale, brutale ndoshta por pa teprime dhe zbukurime.
Një përpjekje në fakt që për së largu e lexova si një mundësi për ti dhënë dinjitetin që meritojnë atyre që kanë mbetur ende gjallë nga të dënuarit në këto burgje. Por në këtë vend qenka e pamundur të trajtohesh me dinjitet. Edhe atëherë kur të kanë vrarë, të kanë burgosur, internuar, përsekutuar familjarisht. Edhe atëherë kur ti je ringritur mbi hakmarrjen, mllefin dhe inatet për të treguar të vërtetën siç është del dikush që që të pengon pa shumë arsye të qënësishme.
Dikush që përpiqet të përfitojë kredo morale, publike apo financiare. Dhe që nuk kupton apo nuk do të kuptojë se debati për Spaçin nuk është debat për tulla e gëlqere që po shkatërrojnë një burg që mezi qëndron në këmbë si ndoshta i vetmi simbol i shkatërrimit të lirisë njerëzore në këtë vend.
Dikush apo disa që duhet ta kuptojnë se më shumë se ego profesionale për një skenar a regji vlen të rrëfejnë historinë pa marrë lejen e Edi Ramës për këtë. Ata që vuajtën në ato burgje e që sot tundin para publikut “lejen verbale” të kryeministrit ndoshta do bënin mirë të bënin diçka tjetër me këtë ferman. Për fat të mirë apo të keq, askush nga mijëra të dënuarit dhe internuarit nuk i ka zgjedhur apo votuar për të qenë shkruesit dhe rrëfyesit e historive të tyre. Dhe në çdo rast ata që kanë lënë kockat dhe rininë në Spaç do pranonin më mirë të mbeteshin të harruar se të kujtuar me lejen e qeverive të kujtdo partie.
Për kujtimin e tyre do mjaftonin dhe copëzat e historive të rrëfyera pa projekte dhe financime.
Fatos Lubonja ishte dje në Spaç dhe bashkë me ish-të burgosur të tjerë u bënë ciceronët e së vërtetës që mbajnë ato germadha burgu. Pashë me vëmendje që mjaft aktivistë dhe gazetarë i ndiqnin me vëmendje, dhe padyshim ky rrëfim vlen ndoshta edhe më shumë se një film me aktorë dhe aktrime. Sepse, për aq sa vlen, pjesa më e dhimbshme e historisë së Shqipërisë nuk ka nevojë as të recitohet nga aktorë dhe as të shkruhet nga poetë. Ajo ka nevojë të tregohet me vërtetësi.
Pak a shumë siç ndodhi dje në Spaç.
Paketimet ekzotike si muze dhe lyerja me gëlqere dhe bojëra e kampit të përqendrimit në Spaç nuk do ta ndryshojnë dot historinë dhe as mënyrën se si ne kemi vendosur t’i qasemi të shkuarës së hidhur komuniste. Por së paku, ruajtja e pjesës më brutale të regjimit komunist pa lajle lule do na kujtojë herë pas here se dinjiteti njerëzor që ruajnë ato mure është arsyeja e vetme pse duhen ruajtur siç janë.