TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Mbretëria e Bashkuar ka lënë zyrtarisht Bashkimin Europian në mesnatën e 31 janarit 2020.
Mes festës dhe lotëve, britanikët i kanë dhënë lamtumirën unionit, duke hedhur një hap drejt të panjohurës.
Gjatë ditës së sotme në Britani ka patur reagime të ndryshme, me njerëz që festonin, por edhe me të tjerë që e shohin Brexit me skepticizëm dhe kanë votuar për qëndrimin në BE.
Pavarësisht se mes BE-së dhe MB-së ka një marrëveshje për termat e Brexit, palët duhet të vijojnë të diskutojnë lidhur me mardhënien e tyre të ardhshme, në një periudhë e cila do të konsiderohet si "periudha tranzitore" dhe duhet të përfundojë më 31 Dhjetor 2020. Gjatë periudhës tranzitore, Mbretëria e Bashkuar do të vijojë të ndjekë dhe zbatojë të gjitha rregullat e BE-së dhe mardhëniet e tyre tregtare do të mbeten të njëjta.
Reagime të shumta ka patur edhe në Europë dhe nga lidershipi i BE-së.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shprehet se BE kërkon një mardhënie sa më të mirë me Mbretërinë e Bashkuar.
"Sfidat me të cilat përballet Europa dhe mundësitë që mund të përqafojë, nuk kanë ndryshuar për shkak të Brexit. Në këtë linjë, ne dëshirojmë të kemi mërdhënien më të mirë të mundshme me MB-në. Por, nuk do të jetë kurrë aq e mirë sa anëtarësimi i plotë".
Ndërsa Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaron se BE do të fokusohet në ndërtimin e një unioni më të fortë dhe më ambicioz.
"Nuk është kurrë një moment i gëzuar kur dikush largohet, por ne jemi duke hapur një kapitull të ri. Ne do t'i përkushtojmë të gjithë energjinë tonë, ndërtimit të një BE-je më të fortë dhe më ambicioze. Me 27 demokraci të forta, me vlera të forta, liri, 22 milionë biznese dhe me tregun e përbashkët më të madh".
Kryeministri Boris Johnson, në mesazhin e tij për qytetarët britanikë , ka thënë se potenciali i vendit pritet të shpërthejë dhe se është respektuar vullneti i popullit.
"Kur shoh potencialin e këtj vendi që pritet të shpërthejë, unë e di se ne mund ta kthejmë nëtë mundësi në një sukses të jashtëzakonshëm.
Ne i jemi bindur vullnetit të njerëzve. Ne kemi marrë mbrapsht mjetet e vetë-qeverisjes. Tashmë është koha për t'i përdorur këto mjete për të lëshuar potencialin e plotë, të këtij vendi brilant dhe për të bërë jetën e gjithësecilit, në çdo cep të Mbretërisë tonë të Bashkuar, më të mirë".
/TPZ.al/
