AKTUALITET, 17 Korrik 2018, 16:39

Grida Duma propozon Task Forcë që të monitorojë qeverinë

Grida Duma propozon Task Forcë që të monitorojë

Deputetja demokrate, Grida Duma propozon ngritjen e një Task Force që të monitorojë ecurinë e masave anti-korrupsion dhe anti-trafik. Në një postim në rrjetet sociale znj. Duma shkruan se në këtë situatë krize politike dhe historike kërkohet mbikqyrje dhe kontroll politik mbi disa çështje madhore që lidhen me korrupsionin dhe drogën.

Deputetja e opozitës thekson se mos-hapja e negociatave po shfrytëzohet nga kjo qeveri si avantazh i moskontrollit. Sipas saj,  Task Forca nën mbikqyrjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, duhet të ushtrojë kontroll periodik dhe të kërkojë raportimin e qeverisë për reflektimin e detyrimeve që ka vendosur BE.

Ja postimi i plotë i Grida Dumës

Tashmë e ardhmja europiane e Shqipërisë është në stacionin e fundit të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një situatë krize politike dhe historike. Arsyet janë çështjet madhore të korrupsionit dhe drogës të cilat tashmë kërkojnë mbikëqyrje dhe kontroll politik me qasje të integrimit.

Nën mbikqyrjen e Këshillit Kombëtar të Intëgrimit, duhet të ngrihet një Task Force e postçme e cila të monitorojë ecurinë e masave urgjente që vijnë nga dokumenti i BE si detyrime të rrepta për vendimin e hapjes ose jo të negociatave për Shqipërinë.

Në shtypin ndërkombëtar vijojnë alarmet për gjendjen e Shqipërisë sa i përket drogës, korrupsionit dhe drejtësisë.

Në shtypin ndërkombëtar del e qartë që as ndëshkimi i moshapjes së negociatave nuk ka dhënë asnjë efekt mbi qeverinë, madje po shfrytëzohet nga kjo qeveri si avantazh i moskontrollit. Shqipëria është në kushte më të rënda se ato të tranzicionit, tashmë janë ndërtuar mekanizmat e përkohshëm tranzitor të cilët shfrytëzohen për të prodhuar pushtet të parasë dhe të krimit.

Është emergjencë kombëtare monitorimi dhe kontrolli i cili shpresohej të rritej nëse do të hapeshin negociatat nga BE.

Task Forca nën mbikqyrjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit duhet të ushtrojë kontroll periodik dhe të kërkojë raportimin e qeverisë për reflektimin e detyrimeve që ka vendosur BE.