TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një tentativë grabitjeje spektakolare ka tronditur Bradfordin në Britaninë e Madhe, pasi një grup prej shtatë grabitësish të maskuar përplasi një automjet 4x4 në vitrinën e një argjendarie, ndërsa brenda ndodheshin klientë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:20 të së shtunës në Pakistan Jewellers, në Bradford të West Yorkshire, transmeton Telegrafi.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë disa klientë që ndodheshin brenda dyqanit, kur në sfond shfaqet një automjet që afrohet duke lëvizur mbrapa.
Në përpjekjen e parë, 4x4-a përplaset me forcë në pjesën e përparme të argjendarisë, duke dëmtuar vitrinën dhe duke bërë që karriget dhe mbeturinat të fluturojnë drejt klientëve, të cilët përpiqen të mbrohen.
Por grabitësit nuk ndalen. Automjeti largohet pak dhe më pas rikthehet me shpejtësi të madhe, duke u përplasur për herë të dytë me dyqanin. Këtë herë, pjesa e përparme e argjendarisë shembet, ndërsa klientët mbeten të bllokuar në një cep, të rrethuar nga rrënojat.
Në atë moment, një nga grabitësit e maskuar hyn nëpër rrënoja, i armatosur me mjet prerës, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit shfaqen jashtë dyqanit me çanta të mëdha, të gatshëm për të marrë arin. Por plani i tyre dështon.
Në vend që të tërhiqet, 20-vjeçari Mohammad Ali Ilyas, pjesëtar i familjes që drejton argjendarinë, përballet me grabitësit.
Ai fillimisht godet njërin prej tyre me një çekiç të vogël dhe më pas merr një shkop, duke u vërsulur drejt grupit.
Grabitësit, të befasuar nga reagimi i tij, largohen me shpejtësi drejt një automjeti tjetër.
Madje, teksa ata largohen, Ilyas përdor shkopin për të goditur edhe xhamin e pasmë të automjetit, ndërsa grabitësit ikin nga vendi i ngjarjes. Asnjë send nuk u vodh nga argjendaria.
“Shtatë burra tentuan të grabisnin dyqanin tonë, por dështuan sepse e mbrojta me shkop”, tha Ilyas për Daily Mail.
Ai tregoi se grabitësit ishin të maskuar dhe të armatosur.
“Ishin të maskuar dhe kishin shpata. Ishte e tmerrshme. Isha i frikësuar për jetën time, por isha edhe i mbushur me zemërim. Duhej të mbroja njerëzit brenda”, rrëfeu ai.
Sipas tij, në momentin e sulmit, në dyqan ndodhej edhe një çift që po blinte dhurata për një dasmë.
Pavarësisht përplasjes së fuqishme dhe përdorimit të armëve, nuk raportohet për persona të lënduar. E gjithë tentativa e grabitjes zgjati vetëm rreth 35 sekonda.
Policia rrethoi vendin e ngjarjes, ndërsa automjeti i braktisur nga grabitësit mbeti në afërsi të argjendarisë.
Dyqani, i cili drejtohet nga familja që prej vitit 2009, pritet të qëndrojë i mbyllur për të paktën dy javë për shkak të dëmeve të shkaktuara.
Por sulmi nuk duket se e ka frikësuar familjen.
“E dua atë që bëj. E dua argjendarinë. Ne do të rikthehemi”, tha Ilyas.
Një grabitje e planifikuar për të marrë arin në pak sekonda përfundoi në mënyrë krejt tjetër: grabitësit u larguan duarbosh, ndërsa argjendaria mbeti e dëmtuar, por pa humbur mallin.