AKTUALITET, 15 Prill 2021, 13:32

“E fundosi" apartamenti, shkarkohet prokurori i Beratit: Ku do të më çoni tani?!

“E fundosi" apartamenti, shkarkohet prokurori i Beratit: Ku do

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Beratit Tasim Puci.

Prokurori nuk ka arritur të kalojë vettingun, pasi nuk ka rezultuar i pastër në shkallët e rivlerësimit.

Megjithatë, një situatë e pazakontë ka ndodhur menjëherë pasi mori vendimin. Duket se Puci nuk arriti të menaxhojë emocionet dhe i ndoqi pas anëtarët e trupës gjykuese të cilët po dilnin nga salla duke u thënë: “Ku do të më çoni tani mua?!”

Reagimi i Pucit shkaktoi për një moment tension në sallë, por situata u qetësua me ndërhyrjen e forcave të sigurisë. “Jam pa shtëpi e katandi,” tha prokurori i përpara se të largohej nga salla.

Procesi i vetingut për prokurorin e Prokurorisë së Beratit, Tasim Puci u krye nga trupa e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Genta Tafa Bungo.

Sipas relatimit, ai u gjet me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.

Nga qëndrimet në seancë dhe diskutimi në pyetje përgjigje, Komisioni duket se ishte fokusuar në pasurinë e Pucit, kryesisht një apartament 108 metra katrorë në emër të vjehrrit, por që kishte pasur kontratë dritash në emër të Pucit.

Ky i fundit rezultoi se kishte bërë një kontratë noteriale, nga e cila lihej të kuptohej se kishte pasur pronësinë e apartamentit, gjë që e mohoi gjatë seancës. Por çfarë kishte ndodhur mbeti e paqartë.