AKTUALITET, 20 Maj 2021, 10:04

Departamenti i shtetit flet edhe njëherë: Pse u shpall tani vendimi për Berishën

Departamenti i shtetit flet edhe njëherë: Pse u shpall tani vendimi

Departamenti i Shtetit ka reaguar sërish lidhur me vendimin për të ndaluar hyrjen në SHBA të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

I pyetur nga “Illyria”, gazeta shqiptaro-amerikane në New York, se pse një vendim i tillë vjen në këtë kohë, një zyrtar i Departamentit të Shtetit u shpreh se tani, Sekretari i Shtetit ka në dispozicion “informacion të besueshëm lidhur me përfshirjen e Berishës në korrupsion të ndjeshëm dhe përpjekje për të ndërhyrë në proceset publike si dhe shpërdorim të fondeve publike në Shqipëri”.

Pas marrjes së vendimit Sali Berisha e ftoi Sekretarin e shtetit Blinken që të tregojë me fakte korrupsionin e tij.

“Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjaret e mi”, shkroi Berisha në rrjetet sociale.

Mirëpo, zyrtari amerikan që qëndroi anonim i tha gazetës “Illyria”, se qeveria e Shteteve të Bashkuara po e bën të qartë se nuk do të angazhohet me individë të korruptuar si Berisha” që të mos përfitojnë mbështetje dhe kredibilitet.