BOTA, 17 Nëntor 2024, 22:49

Zelensky përshëndet lejen për të përdorur raketat, Rusia: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zelensky përshëndet lejen për të përdorur raketat,

 “Sulmet nuk kryhen me fjalë dhe raketat do të flasin vetë”, tha Volodymyr Zelensky në një fjalim mbrëmjen e sotme, pasi është raportuar se Presidenti ende në detyrë i SHBA, Joe Biden i dha “dritën jeshile” Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë kundër Rusisë.

Udhëheqësi ukrainas tha se plani për të forcuar Ukrainën ishte plani i fitores që ai ua prezantoi partnerëve dhe një nga pikat kyçe të tij ishin raketat me rreze të gjatë për ushtrinë ukrainase.

“Sot flitet shumë në media se ne po marrim leje për veprimet përkatëse. Por goditjet nuk bëhen me fjalë. Gjëra të tilla nuk lajmërohen. Raketat do të flasin vetë. Sigurisht që do të flasin,” tha ai sipas Sky News.

Duke iu drejtuar sulmit të Rusisë gjatë natës, Zelensky tha gjithashtu se sot u shënua një nga sulmet më të mëdha dhe më të rrezikshme ruse në të gjithë luftën.

 “Kjo është përgjigja për të gjithë ata që donin të arrinin diçka me Putinin përmes bisedave, telefonatave, përqafimeve, qetësimit. Sot, ky ‘pëllumb i paqes’ na dërgoi një tjetër breshëri raketash kinzhal dhe kalibr”, tha ai, ndërsa shtoi se “koha duhet të investohet jo për të folur me dikë në Moskë, por për ta detyruar vërtetë Rusinë t’i japë fund luftës”.

Vendimi i Uashingtonit për të lejuar Ukrainën të godasë thellë Rusinë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore dhe do të marrë një përgjigje të shpejtë, tha sot Vladimir Dzabarov, nënkryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit të Federatës, sipas Agjencia ruse e lajmeve TASS.

Raportet dhe deklaratat e zyrtarëve amerikanë thanë se Uashingtoni i kishte dhënë Kievit dritën jeshile për herë të parë për të bombarduar territorin rus me raketa me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara për ushtrinë ukrainase nga SHBA.

Kjo është përgjigjja apo reagimi i parë nga Rusia pas këtij njoftimi nga SHBA.