BOTA, 16 Shkurt 2025, 13:29

Zelenski i acaruar: Ukraina nuk është ftuar tek negociatat SHBA-Rusi për luftën

Zelenski i acaruar: Ukraina nuk është ftuar tek negociatat SHBA-Rusi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, ka thënë se Kievi nuk është ftuar për të marrë pjesë në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që pritet të zhvillohen në Arabinë Saudite, për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Duke folur më 15 shkurt, Zelenski tha gjithashtu se Ukraina nuk do të bisedojë me Rusinë pa u këshilluar fillimisht me aleatët e vet evropianë.

“Ne nuk kemi asnjë dokument, asnjë ftesë. Për mua është e çuditshme të flas në këtë rast, në këtë mënyrë, nëse më parë nuk kemi zhvilluar asnjë bisedë mes vete si aleatë dhe partnerë strategjikë”, tha ai gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih.

“Për aq sa di unë, Rusia nuk është partneri ynë strategjik”, shtoi ai.

Reagimi i Zelenskit vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do ta dërgojë një ekip zyrtarësh së lartë amerikanë në Arabinë Saudite, për t’i filluar bisedimet me Rusinë, thanë zyrtarët amerikanë për media të ndryshme.