TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner theksoi të mërkurën, se rezultatet e deritanishme të hetimeve lidhur me atentatin kundër Nord Stream nuk ndryshojnë ndihmën që Gjermania i jep Ukrainës. Kjo nuk ndryshon "asgjë në faktin që Rusia nisi një luftë në shkelje të së drejtës ndërkombëtare kundër Ukrainës", tha Büchner.
Gati dy vjet pas atentateve me lëndë shpërthyese kundër gazsjellësit Nord Stream në Detin Baltik, Prokurori i Përgjithshëm Gjerman, Jens Rommel ka lëshuar urdhërarrestin e parë kundër një personi të dyshuar. Sipas informacionene të televizionit ARD, gazetës "Süddeutsche Zeitung", SZ dhe Die Zeit bëhet fjalë për një ukrainas me emrin Volodymyr Z., që së fundmi ka qëndruar në Poloni. Edhe dy nënshtetas të tjerë ukrainas, mes tyre një vajzë, janë në mesin e të dyshuarve. Sipas të dhënave ata kanë marrë pjesë në atentatin, me gjasë si zhytës dhe kanë ofruar lëndën shpërthyese në gazsjellës. Informacionet për personat e dyshuar bazohen në të dhëna të shërbimit informativ të një vendi tjetër. Siç është njoftuar, këta persona, sipas hetimeve, në shtator 2022 kanë qenë duke lëvizura me një jaht me vela "Andromeda" në Detin Baltik.
Hetuesit e Zyrës së Kriminalistikës, BKA dhe Policia Federale duket me këtë hap se kanë arritur sukses në një nga procedurat hetimore më spektakolare të dekadave të fundit në Gjermani. Në një kohë që Suedia dhe Danimarka i mbyllën hetimet në fillim të vitit për këtë rast, Prokuroria e Përgjithshme Gjermane i vazhdoi hetimet. Sipas mediave, hetuesit kanë mbledhur me sa duket prova të mjaftueshme për të arritur një urdhërarrest në Gjykatës Federale.
Vendqëndrimi i të dyshuarit nuk dihet
Sipas të dhënave të ARD, SZ dhe Die Zeit, hetuesit gjermanë ishin të mendimit, se Volodymyr Z. ka qëndruar së fundmi në periferi të Varshavës. Por momentalisht ukrainasi është plotësisht në ilegalitet. Nëse ai ka kaluar në Ukrainë nuk dihet. Në një telefonatë të shkurtër, Z. u tregua i habitur për akuzat dhe mohoi pjesëmarrjen në atentatin kundër Nord Stream.
Nga pala polake nuk ka pasur deri më tani përgjigje në lidhje me kërkesat ligjore të palës gjermane. Po ashtu nuk dihet, se pse autoritetet polake nuk e arrestuan, Volodymyr Z. Sipas rregulloreve të përbashkëta të urdhërarresteve europiane, që Gjermania dhe Polonia i respektojnë, pritej një arrestim brenda 60 ditësh nga pala polake. Ky afat ka skaduar ndërkohë.
Më 26 shtator 2022 u shkatërruan tre nga katër linjat e të dyja linjave të gazsjellësit Nord Stream në rreth 80 metra thellësi në tabanin e Detit Baltik. Përmes të dy përçuesve të Nord Stream prej vitesh kalonte një pjesë e madhe e gazit rus drejtpërdrejt në Gjermani. Shumë shtete lindore e perëndimore e kishin kritikuar këtë projekt duke paralajmëruar për pasojat gjeopolitike të mënjanimit të Europës lindore.
Si pasojë e luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës dhe përplasjeve të tjera me perëndimin, Moska i kishte pezulluar furnizimet përmes Nord Stream 1 që para atentatit. Kurse përçuesit e Nord Stream 2 nuk ishin vënë në punë për shkak të përplasjeve politike.
Asnjë lidhje e drejtpërdrejtë me shtetin ukrainas
E paqartë është, nëse pika të caktuara të autoriteteve ukrainase ndihmuan në përgatitjen dhe zbatimin e aktit të sabotazhit. Tek urdhërarresti i lëshuar dhe hetimet e bëra nuk janë gjetur lidhje të drejtpërdrejta me ushtrinë ukrainase apo shërbimet sekrete. Presidenti ukrainas, Zelenski kishte hedhur poshtë çdo përfshirje të vendit të tij me atentatin kundër gazsjellësit. Në pranverë, kreu i shërbimit informativ ukrainas, Kyrylo Budanov tha për ARD se "jam më shumë se i sigurtë, që asnjë nga zyrtarët në Ukrainë nuk ka të bëjë në asnjë formë me këtë"./Zëri i Amerikës